Ç’duhet të mësojmë nga blackout-i energjitik në Spanjë dhe Portugali?
Black-outi që paralizoi të hënën Spanjën dhe Portugalinë për orë të tëra, tronditi të gjithë Evropën, dhe vendosi nën presion jo vetëm aftësinë reaguese të qeverive të Madridit dhe Lisbonës, që u duhej të menaxhonin vendet e tyre në kushte pasigurie teksa infrastrukturat u ngadalësuan shumë nga ndërprerja e energjisë elektrike, por edhe qasje politike të autoriteteve të vendeve të tjera.
Kjo ngjarje, tregon nevojën për të zhvilluar aftësitë e menaxhimit të infrastrukturës, që mund të garantojnë siguri dhe qëndrueshmëri edhe në kushte pasigurie, dhe po ashtu nxori në pah cenueshmërinë e rrjeteve ndaj operacioneve asimetrike dhe luftës hibride, të cilat janë sot gjithmonë në qendër të debateve midis strategëve.
Inxhinier Giuseppe Lucci, bashkëpunëtor i Observatorit për Sigurinë e Sistemit Kombëtar Strategjik Industrial (OSSISNa) në Itali, flet për masat më thelbësore që duhen marrë për sigurinë strategjike të ekonomive më të përparuara në një epokë të mbushur me pasiguri.
Çfarë na mëson kriza e fundit e furnizimit me energji elektrike në gadishullin Iberik, rreth sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës më jetike?
Edhe pse shkaqet e sakta nuk janë përcaktuar ende, ngjarja e fundit na kujtoi edhe njëherë cenueshmërinë e sistemeve tona energjetike. Por duke vëzhguar atë që ndodhi, mund të nxjerrim disa konsiderata paraprake që meritojnë vëmendje.
Së pari, izolimi energjetik i Spanjës dhe Portugalisë, doli të ishte një faktor negativ. Pavarësisht se kanë kapacitetin e tyre të prodhimit, kur u gjendën në vështirësi, këto vende s’mund të mbështeteshin tek ndërlidhje të mjaftueshme me pjesën tjetër të Evropës. Është sikur të jetonin në një shtëpi të ngrohur mirë, por me shumë pak dyer dhe dritare.
Në problemin e parë të brendshëm, rrugët e shpëtimit janë të kufizuara. Për më tepër, u vërtetua roli jetik që kanë rrjetet e transmetimit të tensionit të lartë. Një sistem elektrik është i fortë, sa është e tillë hallka e tij më e dobët, dhe problemet e rënda në disa linja kryesore mjaftojnë për të shkaktuar efekte zinxhir në territore të gjera. Imagjinoni një sistem rrugor, ku pasi bllokohen disa autostrada kryesore, i gjithë trafiku ndalet pa alternativa të qëndrueshme.
Në raste krizash, është shumë e nevojshme aftësia për të vepruar shpejt dhe në mënyrë të koordinuar…
Gjatë kësaj krize, ishte jetike shpejtësia e reagimit dhe koordinimi midis operatorëve. Ashtu si në një ekip emergjence të trajnuar mirë, diferencën e bëri aftësia për të vepruar shpejt dhe në mënyrë të sinkronizuar, edhe pse pati vështirësi në marrjen e vendimeve në kohë për shkak të mungesës së skenarëve të paracaktuar.
Një problem tjetër që u vu re, ishte varësia në rritje nga sistemet dixhitale për kontrollin e rrjeteve të energjisë elektrike. Këto mjete, thelbësore për menaxhimin e përditshëm, mund të shndërrohen në pika të cenueshme në situata kritike, si për keqfunksionime teknike, ashtu edhe për sulmet e mundshme kibernetike.
Prodhimi i energjisë në Spanjë dhe Portugali, varet shumë nga burimet e rinovueshme të energjisë. Çfarë reflektimesh imponon ky fakt?
Kriza e fundit, ngre disa pyetje në lidhje me menaxhimin e këtyre burimeve të ndërprera në situata emergjente. Edhe pse i nevojshëm, tranzicioni i gjelbër kërkon sisteme ruajtjeje dhe rezervimi të përshtatshme, për të siguruar stabilitet edhe në momente kritike.
Ndërprerja e energjisë elektrike në gadishullin Iberik, na kujton se qëndrueshmëria e energjisë nuk matet vetëm në megavatët e disponueshëm, por tek qëndrueshmëria e të gjithë ekosistemit: cilësia e rrjeteve, gatishmëria operacionale, integrimi i sigurt i burimeve të rinovueshme dhe kapaciteti për të reaguar ndaj emergjencave. Është një zile alarmi për gjithë Evropën: edhe sistemet në dukje të forta, mund të zbulojnë brishtësi të papritura kur i nënshtrohen krizave të papritura.
A është problemi ekskluzivisht iberik, apo ka raste të tjera të ngjashme?
Disa nga problemet, edhe pse me intensitet të ndryshëm, shfaqen edhe në zona të tjera të Evropës Perëndimore. Rrjetet e transmetimit të disa vendeve evropiane, po tregojnë shenja në rritje të mbingarkesës, ndërsa tranzicioni energjetik po sjell sfida të reja infrastrukturore.
Rajone si Italia jugore dhe ishullore apo edhe Irlanda, paraqesin situata të ngjashme të izolimit energjitik të pjesshëm. Prandaj ngjarja e fundit, tregon rëndësinë e një qasjeje të koordinuar në nivel kontinental, për të siguruar integrimin efektiv të tregjeve evropiane të energjisë, një kërkesë thelbësore për suksesin e tranzicionit drejt një sistemi energjitik më të qëndrueshëm.
Shkaqet mbeten për t’u sqaruar. S’ka prova për ndonjë sulm armiqësor, por është e qartë se raste të tilla do të ishin pasojë e çdo lloj sulmi kibernetik. A po mbajnë shënime mbi këto dobësi, ata që studiojnë luftën asimetrike kundër rrjeteve?
Black-out energjitik në Gadishullin Iberik, na ofron një panoramë shumë të qartë të brishtësisë së sistemeve tona moderne të energjisë. Imagjinojini pak rrjetet tona elektrike si sistemin nervor të shoqërisë bashkëkohore. Dikur të fuqishme dhe relativisht të thjeshta, ato tani janë bërë tepër të sofistikuara, por paradoksalisht edhe më të prekshme. Dixhitalizimi që i bën ato efikase, i kthen njëkohësisht në objektiva ideale për aktorët që synojnë të godasin një kundërshtar “nga anash” dhe jo “ballë për ballë.”
Pse rrjetet e energjisë tërheqin kaq shumë vëmendjen e strategëve ushtarakë jo konvencionalë?
Përgjigja qëndron tek arkitektura e tyre të ndërlidhur. Një sistem modern i energjisë elektrike, funksionon si një akt delikat balancimi: kur kjo harmoni prishet në pika strategjike, efekti mund të përhapet si valëzat në një pellg uji, duke u amplifikuar shumë përtej pikës fillestare.
Ekspertët që analizojnë këto skenarë, nuk janë domosdoshmërisht të interesuar në shkatërrimin fizik të infrastrukturës. Ajo që studiojmë ne në qendër është mundësia e shkaktimit të një “mosfunksionimi sistemik” – një paaftësi e përkohshme, por e përhapur e sistemit për të kryer funksionet e tij thelbësore. Kaosi shoqëror që shkaktohet dhe presioni politik mbi qeveritë, mund të arrijnë rezultate strategjike të rëndësishme edhe pa asnjë të shtënë arme.
Pra cilat janë mësimet kryesore që duhen nxjerrë nga kjo situatë?
Që qëndrueshmëria energjitike është sot çështje e sigurisë kombëtare dhe jo vetëm e efikasitetit teknik. Strategjitë moderne të konfliktit nuk synojnë domosdoshmërisht shkatërrimin, por destabilizimin përmes çrregullimit të shërbimeve thelbësore.
Ndërsa presim të kuptojmë shkaqet e vërteta të ndërprerjes së energjisë elektrike në 2 vendet iberike, një gjë është e sigurt: strategët e luftës asimetrike po mbajnë shënime dhe shoqëritë tona do të bënin mirë të bënin të njëjtën gjë, duke rimenduar thellësisht se si të mbrojnë arteriet e energjisë nga të cilat varet jeta jonë e përditshme.