Shtrenjtimi i energjisë elektrike për 16.1% ka alarmuar afaristët kosovarë veçanërisht prodhuesit. Produkti i parë që pritet të shënojë rritje të çmimit është buka. Pronari i një fabrike të miellit në Kosovë, Rexhep Rama thotë se pas shtrenjtimit të rrymës për 16.1% në mënyrë automatike do të rritë edhe çmimin e miellit dhe rrjedhimisht atë të bukës. Rama, thotë se çmimi i një buke mund të arrijë deri në 80 centë në të kundërtën fabrikat e miellit i nnështrohen rrezikut të falimentimit.
“Çmimi i rrymës u rrit po u rrit shumë. Do ta kemi problem ne ashtu kështu kemi pas një çmim jo të mirë tash pas kësaj rritje do të rrezikojmë t’i mbyllim fabrikat krejt sepse nuk mund ta përballojmë. Ndërsa rritja do të ndikoj me patjetër sepse me këtë çmim nuk do të mund të punojmë. Ne e rrisim çmimin e miellit furrtarët të bukës. Me këtë çmim aktual nuk mund të punojmë, sepse në Gjilan një bukë është 60 cent ndërsa tash pas rritjes tash shkon deri në 70/80 cent. Një kilogram miell është 34 cent tash patjetër duhet të bëhet 40 cent sepse nuk mund të mbulohemi”, tha Rama për RTV21.
Rritje të çmimeve përveç bukës pritet të shënojnë edhe pothuajse të gjithë artikujt e tjerë. Afaristët në Kosovë vlerësojnë se rritja e vazhdueshme e çmimeve qoftë të faturave, apo të produkteve ushqimore, janë shkaktari kryesor i migrimit të madh të qytetarëve. Sipas Burim Pirajt, me shtrenjtimet e vazhdueshme, çdo rritje e pagës në sektorin privat bëhet e pavlefshme.
“Kompanitë vendore ashtu kshtu nuk janë në një situatë të favorshme. Do të ketë rritje të kostos së prodhimit. Me rritjen e çmimeve do të ketë ulje të mundësisë së punësimit në Kosovë, ne jemi përball një migrimi të popullatës dhe po heshtim”, tha Piraj.
Në anën tjetër, Kryetari i odës ekonomike në Kosovë, Lulzim Rafuna, vë në dukje valën e re të inflacionit, dhe shton se çdo vendim për shtrenjtim të cilësdo faturë, ndikon drejtëpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
“ Pa tjetër që do të vështirësohet jeta e qytetarëve, sepse prodhuesit duhet ta rrisin çmimin e produkteve dhe njëkohësisht do ta humbasin konkurrueshmërinë në raport me produktet e importit”, tha Rafuna.
Pas një majit, qytetarët në Kosovë që shpenzojnë energji elektrike deri në 900 kilovat do të paguajn 9.05 centë nga 7.79 centë sa paguajnë aktualisht. Ndërsa ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, do të paguajn 15.43 centë nga 14.45 centë./RTV21/21Meda