Derisa Kuvendi i Republikës së Kosovës mblidhet për herë të parë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe derisa pritet zgjedhja e Qeverisë së re, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bënë thirrje liderëve politikë që të vendosin zhvillimin afatgjatë ekonomik të Kosovës dhe fuqizimin e sektorit privat në qendër të agjendës së tyre qeverisëse. Forcimi i dialogut të institucionalizuar publiko-privat është gjithashtu thelbësor për të garantuar që politikat ekonomike pasqyrojnë nevojat e biznesit dhe formësohen përmes konsultimeve gjithëpërfshirëse.
“Kosova ndodhet në një pikë kritike, ku nevojitet një strategji e guximshme, koherente dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, për të mundësuar rritje të qëndrueshme, vende të reja të punës, si dhe për të forcuar aftësitë konkurruese të vendit. Sektori privat nuk duhet të shihet vetëm si një palë interesi, por si një partner jetik në realizimin e objektivave të zhvillimit kombëtar”, thuhet në njoftimin e OEA.
Oda Amerikane inkurajon fuqishëm Kuvendin dhe Qeverinë e re që të miratojnë një Strategji Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik, e cila bashkon institucionet publike, sektorin privat, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë rreth objektivave të përbashkëta. Kjo strategji duhet të jetë gjithëpërfshirëse në fushëveprim, duke adresuar aspektet kyçe si promovimi i investimeve, diversifikimi i energjisë, zhvillimi i kapitalit njerëzor, rritja e eksportit dhe modernizimi i infrastrukturës, duke siguruar njëkohësisht parashikueshmërinë rregullative dhe fiskale. Vetëm përmes një vizioni të tillë të unifikuar Kosova mund të përparojë drejt rritjes së qëndrueshme dhe qëndrueshmërisë më të madhe ekonomike.
“Paralelisht, qeveria duhet të hartojë dhe zbatojë mekanizma të synuar të mbështetjes financiare që synojnë rritjen e eksporteve, fuqizimin e startup-eve dhe avancimin e transformimit digjital të bizneseve. Fondet e dedikuara që mbështesin eksportet e shërbimeve, grantet e qasjes në treg, financimin e startup-eve dhe investimet në infrastrukturën digjitale mund të sjellin kthime të konsiderueshme në punësim, produktivitet dhe gjenerim të të ardhurave. Në veçanti, digjitalizimi i ndërmarrjeve private duhet të jetë prioritet në arritjen e një aftësie konkurruese afatgjatë në tregjet rajonale dhe globale”, thuhet në njoftim..
Siguria juridike dhe reforma fiskale janë gjithashtu të një rëndësie të madhe. Qeveria e re duhet të ketë prioritet krijimin e një mjedisi të drejtë, transparent dhe të parashikueshëm fiskal. Reforma e vazhdueshme e sistemit tatimor duhet të synojë lehtësimin e përmbushjes së detyrimeve ligjore, zvogëlimin e barrës administrative dhe trajtimin e barabartë të të gjitha bizneseve, pavarësisht nga madhësia apo sektori. Politikat tatimore duhet të hartohen në mënyrë që u shërbejnë investimeve, inkurajojnë formalizimin dhe stimulojnë inovacionin. Stimujt tatimorë duhet të dizajnohen për të mbështetur edhe bizneset e reja por edhe ato ekzistuese, duke siguruar njëkohësisht që proceset e pajtueshmërisë janë të thjeshta dhe nuk lënë hapësirë për dykuptimësi. Këto reforma janë thelbësore për tërheqjen e investimeve, uljen e informalitetit dhe rritjen e besimit ndërmjet bizneseve dhe institucioneve publike.
Për të forcuar pozicionimin ekonomik ndërkombëtar të Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane gjithashtu bënë thirrje për arritjen e një Partneriteti Ekonomik Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një kornizë e tillë do të zyrtarizonte bashkëpunimin dypalësh në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë lehtësimin e investimeve, zhvillimin e eksportit, tranzicionin e energjisë, transformimin digjital dhe inovacionin. I nxitur nga vlerat e përbashkëta, ky partneritet do të mund të nxiste investimet e SHBA-së në Kosovë, përmirësonte lidhjen industriale dhe avanconte rolin e Kosovës në zinxhirët e vlerës globale.
Oda Amerikane gjithashtu thekson rëndësinë e angazhimit të strukturuar me diasporën kosovare, për nxitje të investimeve, inovacion dhe rritje të shkëmbimit tregtar. Diaspora e Kosovës posedon jo vetëm kapitalin financiar, por edhe ekspertizën e gjerë, rrjetet dhe qasjen në tregjet e ndryshme të botës. Institucionet qeveritare dhe misionet diplomatike duhet të jenë proaktive për të mundësuar kontributin e diasporës përmes lehtësimit të investimeve, shkëmbimit të informatave dhe programeve mbështetëse që zhbllokojnë këtë potencial të jashtëzakonshëm.
Krejt në fund, Kosova duhet të forcojë arkitekturën e saj të promovimit të eksportit dhe investimeve. Agjencitë e ngarkuara me detyrat e tërheqjes së investimeve të huaja dhe mbështetjen e zhvillimit të ndërmarrjeve lokale duhet të ristrukturohen dhe të fuqizohen për të vepruar me profesionalizëm, shpejtësi dhe qartësi strategjike. Duke mësuar nga modelet e suksesshme në rajon dhe më gjerë, Kosova duhet të sigurohet që këto institucione janë të afta për të identifikuar dhe mbështetur projekte me ndikim të madh, për të promovuar sektorët prioritarë dhe për të ndërtuar reputacionin e Kosovës si një destinacion tërheqës për investime dhe tregti.