Gjykata e urdhëron administratën e Trumpit që të kthejë në punë mijëra punëtorë të shkarkuar

Gjykatësit federalë në Kaliforni dhe Maryland të Shteteve të Bashkuara të enjten e urdhëruan administratën e presidentit Donald Trump që të kthejë në punë mijëra punëtorë federalë në provë, të cilët i kishin humbur vendet e punës si pjesë e shkarkimeve masive të kryera në 19 agjenci.

Këto vendime ishin goditja më domethënëse deri më tani ndaj përpjekjes së Trumpit dhe këshilltarit të tij të lartë, Elon Musk, për ta zvogëluar në masë drastike burokracinë federale. Agjencitë federale ballafaqohen me një afat për të dorëzuar plane për një valë të dytë të shkarkimeve dhe për zvogëlimin e buxheteve të tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gjykatësi i qarkut në Baltimore, James Bredar, u pajtua me 20 shtete të udhëhequra nga demokratët se 18 prej agjencive të cilat kishin shkarkuar punëtorë në provë në mënyrë masive javëve të fundit i kanë shkelur rregulloret me të cilat menaxhohet largimi nga puna i punëtorëve federalë.

Urdhri i këtij gjykatësi për rikthimin e punëtorëve në vendet e tyre të punës vlen, mes tjerash, për Agjencinë për Mbrojtje Mjedisore, Byronë për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorëve dhe Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Agjenci të tjera që përfshihen në urdhrin e gjykatësit Bredar janë edhe Departamenti i Bujqësisë, Departamenti i Tregtisë, Departamenti i Arsimit, Departamenti i Energjisë, Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humane, Departamenti i Sigurisë së Atdheut, Thesari e disa agjenci të tjera.

Përderisa administrate argumentoi se i kishte shkarkuar punëtorët për shkak të performancës së tyre apo për arsye të tjera individuale, gjykatësi tha se kjo nuk është e vërtetë, gjë që do ta bënte zvogëlimin e numrit të vendeve të punës një formë të shkarkimit masiv, për të cilin nevojitet njoftim paraprak për shtetet, të cilat më pas kanë detyrime për t’u ofruar asistencë qytetarëve të tyre që kanë mbetur rishtazi pa punë.

Vendimi I gjykatësit Bredar erdhi disa orë pasi gjykatësi tjetër, William Alsup, gjatë një seance dëgjimore në San Francisko e urdhëroi kthimin në punë të punëtorëve në provë që ishin shkarkuar në gjashtë agjenci, përfshirë Departamentin e Mbrojtjes./Nacionale

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here