Nga Atan Fuga
Para disa ditësh, kur gjykata kushtetuese e Kosovës deklaroi se Albin Kurti nuk mund të ishte deputet, nëse ju kujtohet, kam reaguar ndër të paktët, duke thënë se kjo gjykatë po shkatërronte procesin zgjedhor në Kosovë, po e nxirrte atë nga shinat.
Atë ditë, ca “juristë” më kritikuan duke më thënë se jo, se e kisha gabim, se drejtësia në Kosovë ishte e paanëshme, se ligja nuk njeh politikë, etj.
Sot që Albin Kurti ka dalë fitues me një shumicë që rrallë përsëritet në Evropë, në Shqipëri jo e jo, ne kemi provën e skandalit që ka ndodhur.
Ata që sot na japin si shembull modelin kosovar të establishmentit dhe të drejtësisë, përsëri, tani pas “pilafi” hyjnizojnë atë që dje e mbronin duke hedhur gurin dhe fshehur dorën kundër Albin Kurtit. Askush nuk denoncoi vendimin e gjykatës që shkonte kundër vullnetit politik të elektoratit. Eshtë budallallik që para fushatës elektorale të marrësh vendime gjyqësore që zëvendësojnë vullnetit politik të elektoratit! Eshtë thjesht idiotizëm logjiko-juridik.
Ku qendron skandali?
Në dy aspekte:
E para, që ata që garonin për vende deputetësh, elektorati i braktisi në mënyrë të pamëshirshme, kurse atë që sistemi juridiko-politik e përjashtoi nga zgjedhja, elektorati e votoi maksimalisht.
E dyta, që gjykata që jep drejtësi bëri një veprim dhe dha një gjykim që elektorati i gjerë e hodhi në kosh. I dha besimin pikërisht atij që gjykata i kishte hequr me vendim juridik aftësinë për të marrë besimin e popullit.
Tani kush e di këtë punë? Elektorati që jep me legjitimitet drejtësinë e tij, apo gjykata që vendoset në mënyrë qesharake në vend të elektoratit dhe “voton” në vend të tij.
Eshtë e qartë që funksionimi i lidershipit politik në Kosovë sikundër edhe i gjykatës kushtetuese në këtë rast janë për të ardhur keq, aspak si shembull pozitiv, por janë pikërisht në drejtimin e kundërt me vullnetin popullor.
Albin Kurti i mundi kandidatët për deputet të establishmentit, me kartë dhe çertifikatë “ndershmërie” duke qenë i përjashtuar si kandidat, pra pa garuar personalisht, i mundi me mungesën e vet formalisht në garë.
I mundi dhe shpartalloi me hijen e tij!
Ja sesi paradoksi na nxjerr te e vërteta. Nuk është çështje partish sikundër mundohet establishmenti partiak në Tiranë apo në Kosovë përpiqet ta mbulojë diellin me shoshë.
Unë nuk mund ta di si do të qeverisë Albin Kurti ndonëse i uroj suksese të mëdha. Por, nuk e di. Unë dua prova, jo premtime! Por një gjë është e sigurt. Zgjedhja e tij është pikërisht sesi sovrani në Kosovë votoi pikërisht kundër një legjitimiteti të stabishmentit që u “fsheh” prapa një vendimi gjykate, që kërkoi “fitoren” në tavolinë, pra që bënte sikur garonte ndërkohë që vullneti popullor ishte gjetiu.
Kush nuk kupton këtë nuk di asgjë nga filozofia dhe epistemologjia e politikës, nuk kupton se shpesh herë realiteti është jashtë normës, e vërteta jashtë formalitetit logjik të legjitimuar formalisht, vullneti popullor ndodhet jashtë garimit të deputetëve, nuk kupton se deputetët që garojnë ose edhe fitojnë jo medoemos përfaqësojnë shumicën e qytetarëve aktivë, etj.
Këtu është mësimi i shpartallimit të stablishmentit politik në Kosovë, këtu është mësimi i fitores të Albin Kurtit, dhe jo te ajo që duan të na shesin politikanë establishmenti, sipas të cilësve tërmeti qendron te thjesht te fitora e VV mbi partitë e tjera. Kjo është e zakonshme, kjo ishte e pritshme, por nuk është kjo tronditja e vërtetë.
Tronditja është pikërisht se një politikë stagnative, që rrotullohet rreth “betejave” të të njejtëve me të njejtët është pikërisht mekanizmi i përjashtimit të vullnetit qytetar nga politika, nga gara elektorale.
Kjo shmangie e realitetit nga norma, e aktualitetit nga parashikimet formale, kjo dramë, ky skandal i politikës, ky iluzion disadekadash duhet të mbaronte një ditë. Albin Kurti ka meritën se e provoi këtë që filozofia postpozitiviste e mospërputhjes parimore mes normës dhe realitetit është e pranishme mjerisht edhe në politikë kur ajo është e gënjeshtërt, e manipuluar, stagnative, kur zgjedhjet e lira janë një farsë për një kohë të gjatë.
Ndodh pra sikundër u provua në Kosovë që vullneti popullor mund të mos jetë aspak mes deputetëve gjoja të pozicioneve të kundërta që garojnë, por përtej politikës të legjitimuar nga gjykata, nga komisioni zgjedhor, përtej garës të atyre që janë rregjistruar si deputetë në komisionin zgjedhor, etj.
Tani edhe në Shqipëri politikanë bëhen me Albin Kurtin sikundër janë mësuar pa parime të lëpijnë atë që kanë pështyrë, por harrojnë mësimin e madh të këtij tërmeti politik që nuk është thjesht fitorja e tij, por se ai fitoi pa qenë në garë personalisht si deputet, madje me damkën e turpshme për gjykatën duke e quajtur atë të padenjë për të marrë besimin popullor!!!
Cfarë komedie, çfarë tragjedie e pashoqe!
Këtë po na mundohen të na e fshehin!