Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se “bëhet fjalë për një numër minimal” të atyre që kanë aplikuar për të refuzuar marrjen e 100 eurove shtesë që Qeveria ka ndarë këtë fundvit për pensionistët dhe fëmijët.
Ai tha se janë rreth 60 të tilla, ndërsa për vendimin që u kritikua u mundua ta arsyetojë se e bëri si “rrjedhojë e ankesave”.
“Ka qenë si nevojë apo rrjedhojë e ankesave që kemi pasë. Në disa raste kanë thënë se ‘pse t’i marr unë nëse nuk kam nevojë’, por gjithsesi listat janë automatike. Pra, duke qenë se ekziston kjo metodë e gjenerimit automatik kemi dashur që ta ofrojmë mundësinë që nëse dikush ta ketë këtë mundësi. Përgjatë kohës sa ka qenë formulari hapur kanë qenë rreth 60 aplikime të pranuara, por jo të gjitha pra janë përfitues. Ka edhe të tilla që nuk gjenden fare në listat e aplikimeve vetëm e kanë plotësuar sa për të thënë ndoshta dhe një pjesë tjetër janë duke u bërë nga stafi. Pra, bëhet fjalë për një numër minimal”.
Kur Murati e njoftoi se kanë hapur një formular për ata që duan të hiqen nga lista e përfitimit tentoi të ngacmojë pak edhe deputetët opozitarë dhe analistët, duke sugjeruar që formulari të ndahet edhe me ta”.
Jam i bindur që disa deputetë të opozitës dhe disa analistë do të jenë të parët që do ta plotësojnë 😊. Andaj mos hezitoni ta ndani edhe me ta këtë formular”, shkroi Murati.
Për këtë vendim Murati tërhoqi kritika si nga opozita si nga opinioni, duke u konsideruar shaka me para të taksapaguesve.