Zbulon dy apartamente ku ofroheshin shërbime se’su’ale. Çfarë tha polici që ishte komshi me eskortat?

Një faqe interneti e pozicionuar hapur në rrjet, profile me të dhëna të rreme, fotografi të redaktuara dhe komunikime të shpejta përmes “WhatsApp”-it. Këto ishin fijet e para të një rrjeti të mirëorganizuar prostitucioni që funksiononte në dy prej zonave më të frekuentuara dhe elitare të Tiranës – pranë Parkut Rinia (Shallvare) dhe te Pazari i Ri.

Në adresën e parë, në zemër të kryeqytetit përballë kompleksit “Taiwan”, bashkëpunëtorët e emisionit arritën të hynin brenda banesës, ku gjetën dy vajza filipinase që komunikonin vetëm përmes programeve të përkthimit. Përballë kamerave, një prej tyre ka rrëfyer se kishte rënë pre e mashtrimit nga persona me origjinë nga Gjermania, të cilët pasi e kishin sjellë në Shqipëri me premtimin se do të punonte si kamariere, i kishin sekuestruar pasaportën dhe e kishin detyruar të hynte në rrugën e paligjshme të prostitucionit për shkak të pamundësisë ekonomike.

“Kishin ardhur me idenë për të punuar si kamariere, por përfunduan të izoluara në apartamente. Personat që i kishin sjellë u kishin marrë dokumentet e udhëtimit, duke u lënë rrugëdalje zero dhe duke i zhytur në një skemë të mirëfilltë shfrytëzimi,” theksohet në gjetjet e investigimit.

Situata ka marrë një kthesë edhe më alarmante gjatë verifikimit në terren, kur në ambientet e pallatit është shfaqur një person që pretendonte se ishte banor, e më pas u prezantua si punonjës policie i Komisariatit Nr. 3. Sapo gazetarët i kërkuan identitetin dhe verifikimin e pozicionit, ky i fundit u largua me shpejtësi. Ndërkohë, menjëherë pas kësaj, bashkëpunëtori i emisionit ka marrë një mesazh kërcënues në telefon, të shoqëruar me fotografinë e një arme zjarri automatike, një sinjal i qartë i presionit që ushtrojnë strukturat e errëta që fshihen pas këtyre bizneseve të paligjshme.

Në episodin e dytë të investigimit, në zonën e Pazarit të Ri, skema u përsërit me dy shtetase braziliane. Pasi kërkuan fotografi identifikuese të klientëve përpara se të dërgonin vendndodhjen, vajzat u ndodhën përballë gazetarëve. Të frikësuara dhe nën presion psikologjik, ato pranuan se prisnin nga dy deri në pesë klientë në ditë, por u kyçën në heshtje kur u pyetën se kush ua kishte siguruar banesën dhe kujt i derdhnin fitimet.

“Kur në vendngjarje mbërriti patrulla e Policisë së Shtetit dhe u kryen verifikimet e dokumenteve, u konstatua se emrat e deklaruar në rrjetet sociale dhe faqen e internetit nuk përputheshin aspak me identitetet reale në pasaportat e sekuestruara nga efektivët,” bëhet me dije nga verifikimet në terren.

Përtej shkeljes së qartë të ligjit penal shqiptar që e klasifikon prostitucionin si vepër penale, ky rast ngre alarmin e kuq për institucionet e rendit dhe sigurisë mbi ekzistencën e mundshme të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të qenieve njerëzore. Mbetet tashmë detyrë parësore e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të shkojnë përtej dyerve të këtyre dy apartamenteve, për të zbardhur se cilët janë autorët që fshihen pas faqeve të internetit, kush i financon dhe mbi të gjitha, për të identifikuar rrjetin e mbrojtjes institucionale apo kriminale që mund t’i ketë dhënë guxim efektivit të dyshuar për të intimiduar gazetarët në mes të Tiranës.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME