Kryeministri Albin Kurti foli me “krenari dhe vetbesim” në seancën e sotme të Kuvendit për qeverisjen e tij katërvjeçare, e cila sipas tij “ka qenë me plot të arritura”.
“Është e qartë se në Kosovë sot kemi një papunësi të zvogëluar”, tha ai ndër tjerash.
Kryeministri përmendi dyfishimin e buxhetit të shtetit prej kur ai u ul në karrigen e shefit të Qeverisë, ndërsa tha se Kosova është bërë “shembull i jashtëzakonshëm në botë” për ekonomi.
“Jemi shembull i jashtëzakonshëm në botë, ku ka një betejë të madhe për narracion se si zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik shkojnë bashkë”, tha Kurti.Paraprakisht, ai tha se ekonomia është shtatë herë më e lartë tash sesa në vitin 2000, kur vendi sapo kishte dalë nga lufta shkatërruese me Serbinë.
“Në Kosovë e kemi dëshminë me të cilën duhet të jemi ndërkombëtarisht krenarë, që edhe çlirimi, edhe pavarësia, edhe liria e demokracia ia vlejnë fort. Meqenëse bruto produkti vendor i vendit tonë për këtë vit është shtatë herë më i lartë sesa në vitin 2000, që është viti i parë pas çlirimit. Natyrisht që s’krahasohemi me 1999-ën, për shkak të gjenocidit dhe shkatërrimeve të luftës. Le të krahasohemi me vitin 2020.. më falni, me vitin 2000, vitin e parë pas çlirimit. Pra, në vitin 2024, krahasuar me vitin 2000 është shtatë herë më e lartë ekonomia e vendit tonë. Ndërkaq krahasuar me vitin 2008,, kur është shpallë pavarësia, ekonomia është tri herë më e madhe sesa atëherë. E krahasuar me vitin e parë parapandemik 2019, është 50% më e madhe”, tha Kurti.
Qeverisja katërvjeçare e Qeverisë Kurti është tema e diskutimit që po zhvillohet sot në Kuvendin e Kosovës.