Ukraina përdori sot për herë të parë Sistemet Taktike të Raketave Amerikane ATACMS

Shtetet e Bashkuara vendosën ta lejojnë Ukrainën të përdorë raketat amerikane me rreze të gjatë, për të sulmuar në thellësi të territorit rus. Ukraina u kishte kërkuar aleatëve perëndimorë leje për t’i përdorur këto armë të avancuara për të goditur Rusinë, që nga viti i parë i luftës. Por çfarë janë saktësisht raketat ATACMS dhe çfarë i bën ato kaq efektive?

Ukraina përdori sot për herë të parë Sistemet Taktike të Raketave të Ushtrisë Amerikane, të njohura ndryshe si ATACMS, për të goditur objektiva brenda Rusisë, përcjell A2 CNN.

Shtetet e Bashkuara i dërguan këto raketa në Ukrainë vitin e kaluar dhe ato janë përdorur për të goditur objektiva ushtarake në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia – por jo në territorin rus. Ukraina u kishte kërkuar aleatëve prej muajsh që të lejohej të godiste me këto armë objektiva përtej kufirit.

Pra, çfarë i bën këto raketa më efektive se ato që Ukraina ka përdorur deri më tani? Matthew Savill, është drejtues shkencor për çështjet ushtarake në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, në Britani.

“Deri më tani janë përdorur raketa të tipit HIMARS, që janë relativisht të vogla dhe që nisen në grup për t’iu drejtuar me saktësi një objektivi. Nga një sistem HIMARS lëshohen rreth tetë raketa njëkohësisht… Sistemi ATACMS, nis vetëm një. Por ajo është një raketë balistike. Është e vogël, por efektin e ka të madh. Duke qenë se është një raketë balistike, zbret në një kënd të vështirë dhe me shpejtësi shumë të madhe. Dhe është gjithashtu e drejtuar me saktësi. Avantazhi është se ka një rreze shumë më të gjatë”, thotë zoti Savill.

Raketat balistike të sistemeve ATACMS, të prodhuara nga kompania amerikane e hapësirës ajrore dhe mbrojtjes, Lockheed Martin, kanë gati dyfishin e distancës së goditjes se shumica e raketave që disponon Ukraina – deri në 300 kilometra. Ato mund të bëjnë goditje të sakta ndaj pistave të avionëve, depove të municioneve dhe infrastrukturës strategjike.

Ekziston gjithashtu opsioni që sistemet ATACMS të përdorin një variant municionesh thërrmuese, që mund të rezultojnë shkatërrimtare në fushëbetejë.Flitet për dhjetëra municione që shpërndahen në terren; ato do të ishin të shkëlqyera për t’u përdorur kundër aeroporteve p.sh., sepse në thelb nëse do të kishte avionë në pista, mund të shpërndahen municionet në të gjithë aeroportin, pa patur nevojën të shkatërrohet pista. Në fakt është mjaft i vështirë shkatërrimi i një piste avionësh”, shpjegon zoti Savill.

Pa këtë teknologji perëndimore, Ukraina e ka goditur rregullisht Rusinë me armë të prodhuara në vend, disa prej të cilave madje mund të përshkojnë distanca deri në 1000 kilometra, por Kievit i mungojnë sasitë e mjaftueshme për të bërë dëm serioz afatgjatë.

“Me zhvillimin e programit të tyre të dronëve, ukrainasit kanë përftuar disa armë me rreze të gjatë veprimi. Dhe disa prej atyre dronëve kanë fluturuar në distanca prej 1000 kilometrash. Pra, flitet për trefishin e distancës së raketave ATACMS. Dallimi është se dronët mbartin mbushje më të vogla, kështu që nuk janë të efektshëm kundër objektivave të mbrojtura”, thotë zoti Savill.

Ukraina u ka kërkuar aleatëve të saj perëndimorë armë me rreze më të gjatë për të ndryshuar balancën e fuqisë në këtë luftë, ku Rusia ka burime më të shumta.

Ukraina shpreson që armët do të ndihmojnë në dobësimin e fuqisë ajrore të Rusisë dhe të linjave të furnizimit, që i nevojiten për të bërë sulmet e përditshme kundër Ukrainës.\ Zëri i Amerikës (A2 Televizion)

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here