Prokuroria Themelore e Prishtinës po vazhdon hetimet lidhur me vdekjen e nipit të politikanit Adem Grabovci. Deri tani, thonë se nuk mund të konfirmojnë shkakun.
Gazeta Express
Në orët e vona të së premtes që shkoi, një i ri u gjet i vdekur në Prishtinë. Të nesërmen u zbulua se personi që u gjet pa shenja jete ishte Aulon Grabovci, nipi i politikanit, Adem Grabovci.
Shkaku i vdekjes së tij ende nuk dihet.
Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë deklaruar për Gazetën Express se po vazhdojnë hetimet për këtë rast dhe se tani nuk mund të konfirmojnë shkakun.
“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, Prokuroria Themelore në Prishtinë mund të konfirmoj se një person me inicialet A.G është gjetur i vdekur, trupi i të njëjtit me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar për autopsi, kurse deri më tani nuk mund të konfirmojmë shkakun e vdekjes, mirëpo prokurori i shtetit në bashkëpunim me të gjitha organet tjera janë duke e hetuar këtë rast”, thuhet në përgjigje.
Policia nisi hetime mbi vdekjen po atë natë. Në raportin e Policisë nuk u dhanë shumë detaje për rastin.
Vetëm u tha se trupi është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“HETIM MBI VDEKJEN- Prishtinë 14.11.2024 – 22:30. Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, thuhej në raportin e Policisë.
Për vdekjen e nipit, Adem Grabovci bëri një postim prekës në llogarinë e tij në Facebook.
Ai bëri me dije se Auloni ishte djali i nipit të tij, Nazim Grabovci, i cili dy vjet më parë ishte gjetur i vdekur në një parking në Prishtinë.
“PASKA EDHE MË VËSHTIRË! POR, DERI KUR, ZOT? Kur më la Nazi im, thash se mu përmbys jeta, e cila më godiste vazhdimisht në mënyra të dhimbshme. E kur ende jemi të thyer shpirtërisht e të pa pajtuar nga humbja e Tij, sot, Loni jonë mbylli sytë, për të na errësuar jetët tona përfundimisht”, shkroi Grabovci.