Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur në takim kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava.
Haradinaj pas takimit ka thënë se roli i prijesve fetarë në Kosovë ka qenë jetik për krijimin e një shoqërie tolerante.
“I nderuar që sot në selinë e re të Aleancës pata rastin ta pres kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava. Në një diskutim të hapur e miqësor folëm për proceset nëpër të cilat po kalon njeriu i Kosovës dhe shteti ynë. Roli i prijesve fetarë në Kosovë ka qenë jetik për krijimin e një shoqërie tolerante, vlerë kjo që na bën krenarë edhe si popull edhe si shtet”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se AAK është e hapur për të adresuar çështje që kanë të bëjnë me komunitetet fetare.
“Aleanca gjithmonë do të jetë e hapur për të diskutuar dhe adresuar çështjet dhe sfidat që kanë të bëjnë me komunitetet fetare në Kosovë, pa dallim”, është shprehur Haradinaj.