Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, përgëzoi organizatën japoneze Nihon Hidankyo për marrjen e Çmimit Nobel për Paqe 2024, duke theksuar rrezikun e qartë dhe aktual që paraqesin armët bërthamore për njerëzimin.Në një deklaratë, Guterres nënvizoi dëshmitë e mbijetuarve të bombardimeve atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, si dhe theksoi kostot e tmerrshme njerëzore të këtyre armëve.
Ai vuri në dukje punën e palodhur dhe qëndrueshmërinë në lëvizjen globale për çarmatimin bërthamor, duke përmendur se dëshmitë e tyre e kujtojnë botën se kërcënimi bërthamor është ende një realitet, jo vetëm një kapitull i së kaluarës.
Guterres i bëri thirrje udhëheqësve botërorë që të shohin armët bërthamore si “pajisje vdekjeje që nuk ofrojnë siguri”, duke theksuar se e vetmja mënyrë për të eliminuar këtë kërcënim është eliminimi i plotë i armëve bërthamore.
Zëvendës-zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, gjatë një konference për shtyp, tha se një nga qëllimet kryesore të OKB-së është parandalimi i përdorimit të armëve bërthamore në konflikte, duke i konsideruar ato si armët “më shkatërruese” në historinë njerëzore.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, rreziku i përdorimit të tyre mbetet një shqetësim global.