Zyrtarët në Teheran janë tejet nervozë teksa Izraeli përgatitet t`i kundërpërgjigjet shiut me 180 raketa balistike që regjimi i ajatollahëve lëshoi kundër tij, dhe është angazhuar sipas CNN, në përpjekje urgjente diplomatike për të minimizuar shkallën e reagimit të shtetit hebre.
Ankthi i Iranit buron nga pasiguria nëse SHBA do të arrijë ta bindë Izraelin të mos godasë objektet bërthamore dhe objektet e naftës iraniane, teksa milicia e tij më e rëndësishme përfaqësuese në rajon, Hezbollahu, është dobësuar ndjeshëm nga operacionet ushtarake izraelite në javët e fundit. SHBA ka qenë duke u konsultuar me Izraelin se si planifikon t’i përgjigjet sulmit të 1 tetorit dhe zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë se nuk duan që Izraeli të synojë objektet nukleare iraniane ose fushat e naftës.
Presidenti i SHBA Joe Biden foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të mërkurën, biseda e tyre e parë në pothuajse dy muaj, duke i thënë atij se hakmarrja e Izraelit duhet të jetë “proporcionale”. Aleatët e SHBA-së në rajonin e Gjirit po ashtu duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Katarin, i kanë shprehur gjithashtu Washingtoni shqetësimin nga një sulm i mundshëm ndaj objekteve të naftës iraniane, të cilat mund të krijojnë ndikime negative ekonomike dhe mjedisore.
Organizatës paraushtarake libaneze Hezbollah sakaq po i mbarojnë paratë, pasi sulmet disajavore izraelite kundër grupit të mbështetur nga Irani kanë ndërprerë tre nga burimet kryesore të parave. Studiuesit në Shtetet e Bashkuara dhe Liban, si dhe raportet e Departamentit amerikan të Thesarit identifikojnë burimin kryesor të parave me emërtimin Al-Qard al-Hasan, ose AQAH, një institucion gjysmë-bankar libanez, por pa liçencë bankare, i drejtuar nga Hezbollahu, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.
Studiuesit thonë se ndër burimet e tjera të parave për Hezbollahun janë bankat tregtare të Libanit tashmë të falimentuara, por të liçencuara, dhe dërgesat e parave me avionë në aeroportin e Bejrutit.