Kompania shqiptare e fluturimeve ajrore “Air Albania” braktisi mbrëmjen e të premtes në aeroportin e Milanos, dhjetëra pasagjerë shqiptarë me destinacion Tiranën.
Pasagjerë të këtij fluturimi kanë telefonuar në redaksinë e News24 ku kanë rrëfyer se si “Air Albania” i braktisi në aeroport dhe punonjësit e kompanisë kanë injoruar thirrjet e tyre për ndihmë.
Mbi 60 pasagjerë vazhdojnë të përjetojnë orë paniku, të braktisur në aeroport, ndërsa në mesin e tyre ka fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë.Pasagjerët treguan sagën e orëve të tëra pritje për t’u nisur nga Malpensa në drejtim të aeroportit “Nënë Tereza”, prej orës 14.00 të së premtes. Pasi fluturimi është shtyrë pafund, në orën 19.00 pasagjerët janë njoftuar se në 20.30 do të fluturonin nga Malpensa me një avion të “Turkish Airlines”, me avionët e të cilës operon edhe “Air Albania”. Por avioni i kompanisë turke nuk është lejuar nga kulla e kontrollit të ngrihej për fluturim. Pasi kanë qëndruar të izoluar në bordin e avionit për 2 orë me radhë, pasagjerët janë detyruar nga policia italiane të zbresin, pa asnjë shpjegim.Pasagjeri Sefedin Matraçi tregon për BalkanWeb se asnjë avion i kompanisë shqiptare nuk mbërriti në pistën e Malpensës, pasi siç ka bërë të ditur personeli i aeroportit, Air Albania nuk ka paguar taksat aeroportuale. Sipas Matraçit, asnjë avion i Air Albania nuk do të ulet në aeroportin Malpensa deri në datën 18 tetor.
Sefedin Matraçi, pasagjer: Avioni duhej të nisej në orën 16.50. Kur kemi mbërritur në aeroport nuk ishte hapur check-ini dhe askush nuk na përgjigjej. Pasi kemi qëndruar për orë të tëra në pritje, na thonë se do nisemi në orën 20.30. Por do niseshim jo me avionin e Air Albania, por me Turkish Airlines. Pasi kemi kalur në check-in, jemi futur në avion dhe na kanë lënë në pritje për më shumë se 2 orë. Piloti dhe stafi i avionit na thonin se nuk kishin leje nga kulla e kontrollit për t’u nisur. Kemi telefonuar sërish kompaninë dhe tha thanë që avioni nga Tirana nuk ka mbërritur pasi kishte turbulenca.