FRANCË- Presidenti francez Emanuel Macron ka deklaruar se europa nuk është më një ndër prioritetet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ishte deklarata e Macron nga Berlini ndërsa bëri thirrje që Unioni 27 anëtarësh të investojë më shumë në industrinë e mbrotjes dhe të zhvillojë më tej një sere sektorësh që të mos jetë e varur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu Macron u shpreh se prioritetet e Washingtonit ndryshojnë në varësi të situatës dhe kohë pas kohe.
“Europa nuk është më prioriteti Kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prioriteti Kryesor i Shteteve të Bashkuara janë vetë Shtetet e Bashkuara dhe kjo gjë është normale dhe e drejtë. Prioriteti i dytë kryesor i tyre është Kina. Sa i përket pjesës tjetër, varet nga momenti. Ata janë partnerë besnik dhe po mbështesin Ukrainën në luftën e saj për liri. A do të zgjasë diçka e tillë? Nuk e di.
Mundohem të jem i kthjellët dhe Bashkimi Europian nuk është priorit i Shteteve të Bashkuara dhe për këtë arsye ne duhet të riformulojmë plotësisht strategjinë tone të mbrojtjes dhe sigurisë.
Ne jemi pjesë e NATO-s dhe kjo nuk ka diskutim. Ne jemi aleatë të fortë të Shteteve të Bashkuara dhe as kjo nuk ka anjë diskutim. Por ne duhet ta heqim nga mendja se rreziqet me të cilat ne përballemi janë në axhendën e Shteteve të Bashkuara për tu zgjidhur. Kjo është arsyeja se përse ne duhet të investojmë më shumë për veten tonë,” tha Macron.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti Francez Emmanuel Macron bën një deklaratë të tillë duke thënë se Europa nuk mund të mbështetet më tek Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e saj.
Më herët në muajin prill Macron ishte shprehur se Europa po përballet me një moment krize për shkak të zhvillimeve të fundit të lidhura me nacionalizmin , zhvillimet gjeopolitike si dhe ekstremizmin në rritje.