Raportimet për “sanksione” ndaj Policisë, Ambasada e SHBA: S’kemi marrë asnjë vendim, po e shqyrtojmë çështjen

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë thënë se ende s’kanë marrë asnjë vendim lidhur me natyrën e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe elementeve vartëse të saj dhe se janë ende duke e shqyrtuar.

 

Kështu kanë thënë të pyetur nga Gazeta Express lidhur me raportimet në media se SHBA ka anuluar disa trajnime të Policisë së Kosovës si rezultat i veprimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës në katër komunat veriore, siç kanë specifikuar Ambasada e SHBA, veprime të bëra në mënyrë të pa koordinuar.

“Në përgjigje të pyetjeve tuaja, ju referojmë në deklaratën tonë të 30 gushtit, ku theksohej: “Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”. Ne jemi duke vazhduar shqyrtimin e çështjes dhe nuk kemi marrë asnjë vendim për momentin”, kanë thënë për Gazetën Express.

Lidhur me raportimet e bëra, ka reaguar sot edhe Policia e Kosovës, duke treguar për nivelin e bashkëpunimit dhe për nominimin që ua kanë bërë disa zyrtarëve policorë për trajnime në SHBA gjatë kësaj jave.

“Me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, PK-ja në vazhdimësi por edhe tani këtë javë ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA.Policia e Kosovës, vazhdon të ketë bashkëpunim dhe raporte të jashtëzakonshme me SHBA-në dhe Ambasadën Amerikane të cilët në vazhdimësi kanë investuar shumë në Policinë e Kosovës me trajnime, me ekspertizë e po ashtu edhe me pajisje logjistike e të teknologjisë”, kanë deklaruar nga Policia e Kosovës.

Ambasada e SHBA-së përmes një komunikate të lëshuar më 30 gusht pas aksionit të institucioneve të Kosovës në katër komunat veriore për mbylljen e strukturave paralele komunale, kishte kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për veprimet e pa koordinuara dhe për instrumentalizim të Policisë së Kosovës. Në këtë njoftim ishte dhënë edhe paralajmërimi se “Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here