Bill Gates ka paralajmëruar se vetëm tri profesione do t’i mbijetojnë ngritjes së inteligjencës artificiale: programuesit, ekspertët e energjisë dhe biologët.
Megjithatë, përballë frikës se shumë vende pune mund të zëvendësohen nga makinat, një ekspert i AI-së ka dhënë katër këshilla konkrete për t’u mbrojtur nga ky rrezik.
Rob Phelps nga platforma AI Jobs ka thënë për UNILAD se mënyra më e mirë për të ruajtur vendin e punës është të mos shmangim AI-në, por të bëhemi pjesë aktive e përdorimit të saj, shkruan Korrespodenti.
“Nëse prisni derisa punëdhënësi ta bëjë të detyrueshme, jeni tashmë prapa,” thekson ai.
Sipas tij, mjafton të mësojmë bazat e mjeteve që përdorim në punë për të përshpejtuar detyrat monotone dhe për t’u fokusuar më shumë në kreativitet dhe mendim të thelluar.
Ai shton se për të qenë të pazëvendësueshëm, punëtorët duhet të theksojnë aftësitë që nuk mund të automatizohen, si inteligjenca emocionale, aftësia për të motivuar ekipin, të lexuarit e situatave dhe mendimi etik.
Phelps sugjeron gjithashtu që punonjësit të bëhen zgjidhës problemesh – të mendojnë për mënyra më të zgjuara për të kryer detyrat dhe të tregojnë vlerë përtej thjesht efikasitetit.
Këshilla e fundit është të mprehim aftësitë për të bërë pyetje të mira dhe për të menduar në mënyrë kritike.
“Për të mbijetuar në epokën e AI-së, duhet të dalloheni jo vetëm si punëtor i mirë, por si mendje që nuk zëvendësohet dot,” përfundon ai. /Korrespodenti