Tesla urdhërohet të paguajë 243 milionë dollarë për aksidentin fatal me Autopilot

Një juri në SHBA ka vendosur që kompania Tesla është pjesërisht fajtore për vdekjen e një gruaje të re, e goditur nga një veturë elektrike me sistemin Autopilot aktiv në Florida, raporton Sky News.

Në aksidentin e vitit 2019 humbi jetën Naibel Benavides Leon, ndërsa partneri i saj, Dillon Angulo, mbeti me lëndime të rënda.

Vendimi gjyqësor i kësaj jurie ka urdhëruar Teslën të paguajë 243 milionë dollarë (183 milionë paund) si dëmshpërblim për familjen e viktimës dhe për partnerin e saj. Juria arriti në përfundimin se përgjegjësia nuk qëndronte vetëm te shoferi George McGee, i cili kishte pranuar se ishte shpërqendruar nga telefoni para përplasjes. Para këtij procesi, McGee kishte arritur një marrëveshje të veçantë me familjet e viktimave në një çështje tjetër gjyqësore.

Avokati i familjes, Brett Schreiber, akuzoi Teslën se e ka projektuar Autopilot-in vetëm për autostrada të kontrolluara, por nuk e ka kufizuar përdorimin e saj edhe në rrugë të tjera, ndërsa Elon Musk e kishte promovuar si sistem më të sigurt se drejtimi nga vetë njeriu.

Sipas tij, vendimi përfaqëson “drejtësi për vdekjen tragjike të Naibel-it dhe dëmtimet e përjetshme të Dillon-it”.

Në anën tjetër, kompania Tesla dhe pronari i saj Elon Musk, e kanë cilësuar verdiktin si “të gabuar” dhe një pengesë për zhvillimin e teknologjive të sigurisë në industri, duke paralajmëruar se do t’i drejtohen apelit. Kompania ka këmbëngulur se faji ishte vetëm i shoferit, i cili kaloi një shenjë ndalimi dhe semafor të kuq me shpejtësi rreth 100 km/h, pa marrë asnjë paralajmërim.

Ndërsa, avokatët e paditësve kanë pretenduar se Tesla ka fshehur ose humbur prova kyçe, përfshirë të dhëna dhe video të momentit para përplasjes, të cilat më pas u zbuluan nga një ekspert e forenzikës. Ky vendim, ndryshe nga rastet e mëparshme të mbyllura ose të zgjidhura me marrëveshje, pritet të nxisë procese të tjera ligjore kundër kompanisë Tesla.

Vendimi u shpall në një periudhë kur Elon Musk po përgatit lansimin e një shërbimi taksish pa shofer, ndërkohë që Tesla ka bërë përmirësime në sistemin e ndihmës për shoferin dhe vetëdrejtimin e pjesshëm. Megjithatë, kompania është përballur edhe me sfida, përfshirë tërheqjen nga tregu të 2,3 milionë automjeteve në vitin 2023 për shkak të shqetësimeve mbi funksionimin e Autopilot-it. /Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here