Në një ligjëratë të veçantë në platformën “Inteligjenca n’3D”, astrofizikani Jahja Koka sjell një shpjegim të thellë për inteligjencën artificiale, duke e krahasuar me inteligjencën natyrore të njeriut. Me një përvojë ndërkombëtare në institucionet më prestigjioze në botë, ai ndan njohuritë e tij për mënyrën se si makinat mësojnë, marrin vendime dhe mund të zëvendësojnë shumë profesione.
Jahja Koka e përkufizon inteligjencën si aftësinë për t’u përshtatur në situata të reja. Kjo ndarje e qartë midis mendimit natyror dhe atij artificial është thelbësore për të kuptuar thelbin e teknologjisë moderne.
Nga kompjuteri i parë te inteligjenca artificiale
Koka tregon se gjithçka nisi me kompjuterët e parë digjitalë dhe eksperimente të thjeshta me qarqe elektrike, ku Alan Turing hapi rrugën për përpunimin automatik të të dhënave. Sot, inteligjenca artificiale ka kaluar në epokën e kompjuterëve optikë dhe rrjeteve neurale.
“Kompjuteri i Alan Turing-ut mbushte një dhomë të tërë – sot një thjerrëz mund të bëjë më shumë”, thotë Koka.
Ai tregon se makinat mësojnë nëpërmjet rrjeteve neurale, që imitojnë trurin e njeriut. Ato përdorin koncepte si nyje, pesha statistikore dhe pragje vendimmarrëse për të filtruar dhe përpunuar informacionin.
“Inteligjenca artificiale përpunohet nëpërmjet një sistemi nyjesh dhe peshash që vendosin cilat informacione kalojnë tutje në “output””, shpjegon Koka.
Inteligjenca Emocionale, pika e dobët e AI
Pas paralajmërimeve të shumta, madje edhe nga vetë krijuesit e inteligjencës artificiale si Geoffrey Hinton, për rrezikun që makinat mund të tejkalojnë dijen njerëzore, Koka thekson se dimensioni emocional mbetet pengesa kryesore që makinat nuk mund ta kapërcejnë. Sipas tij, asnjë algoritëm nuk mund të rikrijojë vërtet emocionet njerëzore, të cilat janë thelbësore për vendimmarrje dhe përkushtim.
“Shumë njerëz me IQ të lartë nuk kanë arritur sukses për shkak se inteligjenca emocionale ka qenë e papërshtatshme”, shprehet Koka.
Ai thotë se, edhe pse Inteligjenca artificiale pritet të zëvendësojë shumë profesione – nga mjekësia e deri te dizajni arkitekturor, programerët dhe fizikantët do të vazhdojnë mbeten të pazëvendësueshëm.
“Profesioni i programerit dhe fizikantit do të jenë ndër të vetmit që do të mbijetojnë gjatë epokës së inteligjencës artificiale”, thotë Koka.
Inteligjenca artificiale nuk është më një ide futuriste – ajo po ndikon sot në çdo aspekt të jetës sonë. Por përkundër përparësive të saj, makinat ende nuk mund të imitojnë plotësisht kompleksitetin emocional dhe vetëdijen njerëzore. Prapëseprapë, siç thotë Jahja Koka, ardhmëria u përket atyre që e përqafojnë këtë teknologji me mençuri. /Inteligjenca n’3D