Studiuesit kanë zhvilluar një teknologji të re që përdor nanopartikuj “upconversion”, grimca mikroskopike që kthejnë dritën infra të kuqe (që njeriu normalisht nuk e sheh) në dritë të dukshme për syrin e njeriut. Eksperimentet e para, të publikuara në revistën shkencore Cell, treguan se pjesëmarrësit që mbanin këto lente ishin në gjendje të dallonin sinjale infra të kuqe dhe drejtimin prej nga vinte drita.
Një nga veçoritë më interesante të kësaj teknologjie është se nuk kërkon burim të jashtëm energjie. Procesi i konvertimit ndodh vetë përmes materialit të lenteve, pa bateri apo kabllo. Kjo ndodh sepse nanopartikujt përthithin fotone infra të kuqe dhe i ri-emetojnë si dritë të dukshme, pa nevojë për rrymë elektrike.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se kjo nuk do të thotë “shikim në errësirë totale”. Lente të tilla funksionojnë vetëm kur ka burime të dritës infra të kuqe, jo në mungesë të plotë të dritës. Ndryshe nga syzet e natës që kapin rrezatimin termik të trupave, këto lente nuk detektojnë nxehtësi ato janë një hap drejt zgjerimit të ndjeshmërisë vizuale, jo zëvendësim i plotë i teknologjive ekzistuese ushtarake apo mjekësore.
Në provat e para, pjesëmarrësit raportuan se mund të shihnin më qartë sinjale infra të kuqe madje edhe me sy të mbyllur. Kjo ndodh sepse rrezet infra të kuqe depërtojnë më lehtë nëpër qepalla se sa drita e zakonshme, duke lejuar perceptim pa ndërhyrje nga ndriçimi i jashtëm.
Teknologjia është ende në fazë laboratorike dhe nuk është e gatshme për përdorim njerëzor. Ajo kërkon vite kërkimesh të mëtejshme përpara se të arrijë sigurinë, efikasitetin dhe miratimet e nevojshme mjekësore. Megjithatë, studiuesit besojnë se në të ardhmen, lente të tilla mund të kenë aplikime të shumta që nga ndihma për kirurgët në operacione të ndjeshme, deri te përmirësimi i ndjeshmërisë së shikimit në kushte të errëta.
Shkenca është në një pikë intriguese: lente që e bëjnë syrin më “të zgjuar” janë tashmë realitet, por shikimi i plotë në errësirë mbetet ende një objektiv që po afrohet ngadalë hap pas hapi./Korrespodenti