Shkencëtarët kanë arritur një përparim të jashtëzakonshëm: për herë të parë në histori, ata kanë teleportuar gjendjen e një grimce drite përmes një rrjeti klasik. Ky zhvillim i jashtëzakonshëm, i bazuar në fenomenin e ngatërrimit kuantik, mund të hapë rrugën për komunikim të menjëhershëm edhe përtej galaktikave.
Çfarë do të thotë të teleportosh dritën?
Kur themi “teleportim i dritës”, nuk bëhet fjalë për zhvendosje të objekteve si në filmat fantastiko-shkencorë. Këtu flasim për një proces të quajtur teleportim kuantik, ku transferohet informacioni kuantik i një fotoni (grimce e dritës) nga një vend në tjetrin – pa udhëtuar fizikisht.
Ky transferim ndodh falë një dukurie të quajtur ngatërrim kuantik – një lidhje misterioze mes dy grimcave, që i lejon ato të “ndajnë” informacion pavarësisht nga distanca.
Ngatërrimi kuantik u quajt nga vetë Albert Ajnshtajni si “veprim i çuditshëm në distancë”. Ai e vështirësonte logjikën klasike të fizikës, sepse një grimcë duket se reagon menjëherë kur ndryshon tjetra – edhe nëse ndodhen në galaktika të ndryshme.
Ky fenomen është çelësi i teleportimit kuantik. Dhe tashmë është provuar në laborator: një grimcë dërgon gjendjen e saj në një tjetër, pa kaluar fizikisht në hapësirë.
Përparimi i fundit: Lidhja që zgjati mbi 30 orë
Sipas një raporti të publikuar nga Daily Galaxy, shkencëtarët nga Oak Ridge National Laboratory, në bashkëpunim me EPB of Chattanooga dhe Universitetin e Tennessee, arritën të mbajnë një lidhje të qëndrueshme mes fotonëve të ngatërruar për më shumë se 30 orë përmes një rrjeti optik të zakonshëm.
Ky sukses u arrit falë një sistemi të quajtur kompensim automatik i polarizimit (APC), i cili rregullon vazhdimisht sinjalin për të ruajtur lidhjen kuantike, edhe kur kushtet e ambientit ndryshojnë.
Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen?
Megjithëse teleportimi i dritës në një galaktikë tjetër mbetet ende një ëndërr, ky përparim hap rrugën për komunikim kuantik të menjëhershëm dhe të sigurt, që mund të tejkalojë kufijtë e sistemit tonë diellor.
Po ashtu, zhvillimet e fundit në teknologjinë e gjeneratorëve të fotonëve në shkallë nano sinjalizojnë një të ardhme ku rrjetet kuantike mund të jenë realitet i përditshëm.
Ky përparim mund të revolucionarizojë jo vetëm komunikimin, por edhe mënyrën si e kuptojmë hapësirën, kohën dhe informacionin. Nëse drita mund të teleportojë informacionin e saj përmes ngatërrimit kuantik, atëherë ne mund të imagjinojmë një botë ku komunikimi nuk ka vonesë – as në Tokë, e as në hapësirën e thellë.
Siç raporton Daily Galaxy, “ajo që dikur dukej si fantashkencë, tashmë është realitet shkencor”. /Inteligjenca n’3D