Shkencëtarët krijojnë pajisje që gjeneron energji edhe gjatë natës përmes rrezatimit infra të kuq. Për dekada, energjia diellore ka qenë një nga shtyllat kryesore të tranzicionit global drejt burimeve të pastra të energjisë, por një nga kufizimet e saj më të mëdha ka qenë fakti se dielli nuk shkëlqen gjithmonë. Tani, studiuesit nga Universiteti Stanford po afrohen me një zgjidhje që mund të plotësojë boshllëkun që lë nata, duke gjeneruar elektricitet edhe në errësirë totale.
Kjo pajisje funksionon ndryshe nga panelet diellore tradicionale, pasi shfrytëzon procesin e ftohjes radiative për të prodhuar energji.
Ndërsa panelet e zakonshme thithin dritën e diellit për të krijuar rrymë, pajisja e re përdor rrezatimin infra të kuq që Toka lëshon drejt hapësirës së ftohtë gjatë natës. Këta ndryshime të vogla temperature midis ajrit të ngrohtë dhe qiellit të ftohtë krijojnë një diferencë termike të mjaftueshme për të prodhuar elektricitet.
Sipas testimeve të para, pajisja ka arritur të gjenerojë rreth 50 millivat për metër katror, një sasi e vogël, por e mjaftueshme për të furnizuar sensorë, pajisje matëse ose drita të vogla gjatë natës. Edhe pse fuqia aktuale është modeste, rëndësia e kësaj arritjeje është e madhe, pasi në zona të largëta, në misione hapësinore apo në vende ku energjia diellore është e kufizuar, kjo teknologji mund të sigurojë furnizim të pandërprerë.
Pajisja bazohet në teknologjinë termoradiative, një koncept i cili po zhvillohet me shpejtësi në laboratorë të ndryshëm në botë dhe që synon krijimin e materialeve që mund të marrin energji nga dielli gjatë ditës dhe ta rikthejnë nxehtësinë e tepërt drejt hapësirës gjatë natës, duke krijuar një qarkullim të qëndrueshëm energjie.
Edhe pse pajisja e Stanford-it nuk është ende gati për përdorim të gjerë, rezultatet tregojnë se kombinimi i saj me panelet diellore tradicionale mund të mundësojë gjenerim të vazhdueshëm të energjisë 24 orë në ditë pa nevojën për bateri të mëdha.
Shkencëtarët e përfshirë në projekt theksojnë se kjo është vetëm faza e parë e një teknologjie me potencial të madh dhe se me përmirësime në efikasitet e në përbërjen e materialeve, pajisjet termoradiative mund të bëhen një pjesë e rëndësishme e sistemeve të ardhshme të energjisë së pastër.
Në një kohë kur bota kërkon mënyra për të zvogëluar varësinë nga karburantet fosile, ideja për të prodhuar energji nga ftohja e natës mund të shënojë një hap të ri drejt një planeti më të qëndrueshëm./Korrespodenti