Shkaku i njërit prej kancereve më vdekjeprurës mund të gjendet në gojë

Shkencëtarët kanë zbuluar se disa kombinime të mikrobeve që jetojnë në gojën e njëriut lidhen me një nga kanceret më të rrezikshme, atë të pankreasit. Ky zbulim sugjeron se higjiena e mirë orale nuk mbron vetëm dhëmbët, por mund të ndihmojë edhe kundër kancerit, ka raportuar ScienceAlert.

“Është më e qartë se kurrë se larja e mirëmbajtja e dhëmbëve, jo vetëm që parandalon sëmundjet e mishrave të dhëmbëve por mbron edhe nga sëmundjet tjera të rrezikshme si kanceri”, ka shpjeguar epidemiologu i kancerit Richard Hayes nga Universiteti i New Yorkut (NYU).

Pankreasi është organ që prodhon enzima dhe hormone për tretjen dhe përdorimin e lëndëve ushqyese nga ushqimi. Edhe pse rrallëherë zhvillon tumore, kur ato shfaqen, shanset për mbijetesë afatgjatë janë shumë të ulëta.

Hayes, së bashku me epidemiologen Yixuan Meng dhe kolegët e tyre, analizuan të dhëna shëndetësore dhe mostra të larjes së gojës nga dy studime të mëdha me mbi 300,000 persona të moshës 50 deri në 70 vjeç.

Kur të dhënat u analizuan së bashku, 27 mikrobe të identifikuara në gojë rezultuan të lidhura me rritje më shumë se trefish të rrezikut për kancer pankreatik, sëmundje që prek rreth 1 në 56 burra dhe 1 në 60 gra në SHBA gjatë jetës së tyre.

Studiuesit identifikuan tri baktere orale në veçanti, Porphyromonas gingivalis, Eubacterium nodatum dhe Parvimonas micra, si dhe kërpudhën e zakonshme Candida tropicalis, që lidhen me rrezik më të lartë për diagnozë të kancerit pankreatik.

Hayes thekson se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që këto mikrobe e shkaktojnë drejtpërdrejt kancerin, por modelet e vërejtura tregojnë se disa specie meritojnë hulumtim më të thelluar.

Ai ka shtuar se disa baktere dhe kërpudha të tjera ishin të lidhura me rrezik më të ulët për kancer, çka tregon se përbërja e saktë e mikroflorës së gojës është kritike për shëndetin.

“Analizat e gjera të baktereve kanë treguar se tetë baktere orale patën lidhje me rënien dhe 13 baktere patën lidhje me rritjen e rrezikut për kancer pankreatik”, thuhet në raportin e studimit në Jama.

Një nga problemet më të mëdha me kancerin e pankreasit është se shpesh diagnostikohet vonë, kur shanset për trajtim janë të kufizuara.

Aktualisht, shkalla e mbijetesës 5-vjeçare është vetëm 13 për qind. Prandaj, njohja e faktorëve të hershëm të rrezikut, si përbërja e mikrobeve në gojë, mund të ndihmojë në zbulimin më të hershëm të sëmundjes.

“Duke profilizuar bakteret dhe myshqet që ndodhen në gojë, onkologët do të mund t’i vënë re ato që do të duhej të analizoheshin kur bëhet fjalë për kancer pankreatik”, ka thënë epidemiologia e NYU-së, Jiyoung Ahn.

Ekipi i studiuesve ka paralajmëruar se hapi i radhës do të jetë të shohin edhe rolin që viruset mund të kenë në këtë rrezik.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME