Një fizikant i Harvardit ka ngritur alarmin se objekti ndëryjor 31/ATLAS, me madhësinë e Manhattanit, mund të mos jetë një kometë e zakonshme, por një sondë e mundshme aliene që mund të “na shpëtojë ose të na shkatërrojë”, shkruan New York Post, përcjell Korrespodenti.
NASA e ka klasifikuar atë si një kometë me trajektore të pazakontë, por profesori Avi Loeb thotë se pamjet e fundit nga Teleskopi Hapësinor Hubble tregojnë një ndriçim të pazakontë përpara objektit, që sipas tij është i ndryshëm nga kometat.
Sipas Loeb, mungesa e gjurmëve të gazit dhe fakti që 31/ATLAS lëviz pothuajse në të njëjtin plan me orbitat e planetëve rreth Diellit, me një saktësi brenda pesë gradëve, e bën trajektoren tepër të veçantë. Ai thekson se objekti do të afrohet më shumë me Diellin, kur Toka do të jetë në anën e kundërt, gjë që sipas tij, është një moment i përshtatshëm për ndonjë manovrim.
Loeb ka propozuar që objekti të studiohet nga afër duke shfrytëzuar sondën hapësinore Juno, e cila aktualisht ndodhet në orbitën e Jupiterit. Sipas tij, afrimi i 31/ATLAS me këtë planet në mars 2026 përbën një rast unik për të mbledhur të dhëna të drejtpërdrejta mbi natyrën e tij, pa pasur nevojë për nisjen e një misioni të ri nga Toka. Ai paralajmëron se mundësia që trajektorja e objektit të jetë thjesht rastësore është më pak se 0,2%, duke lënë të hapur mundësinë që objekti të jetë krijuar nga një civilizim inteligjent, dhe jo një trup natyror si kometat apo asteroidët.
Kongresistja amerikane Anna Paulina Luna ka mbështetur propozimin e Loeb-it, duke i bërë thirrje NASA-s që të zgjasë misionin e sondës Juno në mënyrë që kjo të mund të vëzhgojë nga afër 31/ATLAS gjatë afrimit me Jupiterin. Sipas Loeb, një vëzhgim i tillë është thelbësor për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me një objekt natyror apo të krijuar nga inteligjenca e një civilizimi tjetër. Ai shton se monitorimi i objekteve ndëryjore duhet të jetë pjesë e masave globale të sigurisë, ashtu si përgatitjet ndaj rreziqeve nga asteroidet ose ndryshimet klimatike. /Korrespodenti