Një asteroid me madhësinë e një aeroplani pasagjerësh do të kalojë shumë afër Tokës nesër, ka njoftuar NASA.
Ky shkëmb hapësinor, i gjatë rreth 38 metra, do të kalojë me shpejtësi mbi 45 mijë kilometra në orë, duke iu afruar Tokës deri në 218 mijë kilometra – më pak se gjysma e distancës mes Tokës dhe Hënës.
Asteroidi, i quajtur 2025 QD8, do të kalojë pranë planetit tonë rreth orës 15:56 sipas kohës britanike. Për shkak të madhësisë së tij, shkencëtarët e cilësojnë si potencialisht të rrezikshëm, madje me fuqinë e një “shkatërruesi qytetesh”, nëse do të binte mbi Tokë.
Megjithatë, ekspertët e NASA-s dhe të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) sigurojnë se nuk ka arsye për panik, pasi orbita e asteroidit është llogaritur me saktësi dhe ai do të kalojë pa rrezik për Tokën.
Asteroidi u zbulua për herë të parë më herët gjatë këtij viti nga një grup astronomësh amatorë të projektit Virtual Telescope në Itali, të cilët arritën ta fotografojnë me një teleskop 17-inçësh kur ndodhej 3.9 milionë kilometra larg Tokës.
Shkencëtarët vlerësojnë se diametri i tij është mes 17 dhe 38 metrash, megjithatë madhësia e saktë varet nga materiali i tij, pasi objektet më të errëta reflektojnë më pak dritë dhe duken më të vogla.
Edhe në kufirin më të ulët të vlerësimeve, ky objekt do të kishte një potencial shkatërrues të madh. Astrofizikani Shyam Balaji nga King’s College London tha për “Daily Mail” se “një përplasje e tillë mund të shkaktonte dëme të konsiderueshme lokale, por jo katastrofë globale”, transmeton Inteligjenca n’3D.
Shembujt e së kaluarës tregojnë fuqinë e këtyre objekteve. Në vitin 2013, një meteorit 18 metra shpërtheu mbi qytetin Çeliabinsk në Rusi, duke prodhuar një shpërthim 30 herë më të fuqishëm se bomba atomike e Hiroshimës. Rreth 1,500 persona u plagosën dhe mijëra ndërtesa u dëmtuan.
Një objekt si 2025 QD8, me madhësi pothuajse dyfish më të madhe, mund të ishte edhe më shkatërrues. Ngjarje të tilla, si rënia e Tunguskës në vitin 1908 që rrafshoi mijëra kilometra pyje, dëshmojnë për fuqinë e tyre. Por, sipas shkencëtarëve, këto ngjarje mbeten shumë të rralla.
NASA dhe ESA theksojnë se falë rrjetit të teleskopëve mbrojtës, orbitat e asteroideve të tillë llogariten me saktësi të madhe. Prandaj dihet me siguri se 2025 QD8 nuk do të përplaset me Tokën apo me Hënën. Llogaritjet tregojnë se është shumë e pamundur që ndonjë asteroid i rrezikshëm të godasë Tokën në 100 vitet e ardhshme.
Për fat të keq, pavarësisht kalimit të tij kaq afër, asteroidi nuk do të shihet me sy të lirë. Edhe teleskopët amatorë do ta kenë të vështirë ta kapin pa pajisje të avancuara.
Megjithatë, adhuruesit e astronomisë mund ta ndjekin kalimin e tij përmes një transmetimi live nga Virtual Telescope Project, i cili nis që sonte pas mesnate. Pamjet do të transmetohen nga teleskopët robotikë të vendosur në Manciano, Itali. /Inteligjenca n’3D