Mendimi kritik në rrezik, raporti i Microsoft ngre shqetësim mbi përdorimin e AI

Një studim i fundit, i bashkautorizuar nga Microsoft, ka nxjerrë në pah një lidhje shqetësuese ndërmjet besimit të tepërt në inteligjencën artificiale gjenerative (GenAI) dhe aftësisë më të ulët për të zhvilluar mendimin kritik.

Hulumtimi, i cili përfshiu 319 përdorues të mjeteve të AI, tregoi se individët që kanë besim të lartë në këto teknologji janë më të prira të kenë aftësi më të ulëta analitike dhe kritike, transmeton klankosova.tv.

Përkundrazi, individët që kanë vetëbesim të lartë në aftësitë e tyre analitike dhe kritike demonstrojnë një qasje më të thelluar në mendimin kritik, duke vlerësuar dhe analizuar më shumë informacionin që marrin. Ky rezultat sugjeron se ndoshta mbështetja e tepërt në AI mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e aftësive për të menduar në mënyrë të pavarur.

Në analizën e 936 rasteve konkrete të përdorimit të GenAI, studiuesit zbuluan se punonjësit përdorin teknologjinë për të siguruar cilësinë e punës së tyre, duke verifikuar rezultatet e gjeneruara nga AI me burime të jashtme për të shmangur gabimet. Megjithatë, përdoruesit shpesh mbështeten më shumë në AI për mbledhjen dhe verifikimin e informacionit, duke mos e verifikuar atë në mënyrë të pavarur.

Përveç kësaj, studimi tregon se përdoruesit shpesh nuk kërkojnë zgjidhje të reja për problemet që hasin, por thjesht i përshtatin përgjigjet e AI për të përmbushur nevojat e tyre. Në disa raste, ata nuk janë të përfshirë në ekzekutimin drejtpërdrejt të detyrave, por mbikëqyrin dhe vlerësojnë rezultatet e AI për të siguruar cilësinë e tyre.

Raporti thekson se ky fenomen mund të ketë ndikime të rëndësishme në mënyrën se si kompanitë dhe individët do të qasen në zgjidhjen e problemeve në të ardhmen, veçanërisht për sa i përket zhvillimit të aftësive për të menduar kritikisht dhe për të marrë vendime të informuara.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here