Jahja Koka tregon si u takua me Geoffrey Hinton – njeriun që krijoi inteligjencën artificiale

Astrofizikani shqiptar Jahja Koka, në një ligjëratë për Inteligjenca n’3D, foli për rrugëtimin e tij akademik ndërkombëtar, duke ndarë me publikun përvojën e rrallë kur takoi Geoffrey Hintonin – njeriun që konsiderohet si themeluesi i inteligjencës artificiale moderne.

Në Carnegie Mellon, një prej universiteteve më prestigjioze në SHBA, Koka ishte pjesë e një laboratori të quajtur “Center for Excellence in Optical Data Processing”, ku punonte edhe Geoffrey Hinton.

“Në MIT, përkatësisht Harvard, vazhdova një vit në një laborator te profesori Benton për Holografinë e Bardhë. Por për punimin e informacioneve me tufë të llaserit, shkova ta mësoj në laboratorin e David Casasent në Universitetin Carnegie Mellon, në Pitsburg të Pensilvanisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ja, këtu është ai momenti që dua të flas për kompetencën time për inteligjencë artificiale, meqë jo vetëm që ishte qendra, para Harvardit, më e mira në botë – Center for Excellence in Optical Data Processing, kështu quhej – por që aty punonte edhe Geoffrey Hinton. Tash ky burrë sivjet e ka marrë çmimin Nobel për inteligjencën artificiale”, rrëfen Koka.

Përvoja e Kokës me teknologjitë më të avancuara erdhi pas një karriere akademike të gjatë që nisi në Prishtinë dhe vijoi në Beograd, Zagreb, Moskë, MIT dhe Harvard. Ai u angazhua në kërkime për strukturën e materies, spektroskopi, holografi dhe përpunim të të dhënave optike.

“Si i ri kam studiuar në Prishtinë, atëbotë, fatkeqësisht, Universiteti i Beogradit, dhe kam punuar një eksperiment shumë interesant për strukturën e materies me rreze X. Pastaj kam shkuar në Zagreb dhe për tri vjet kam punuar magjistraturën atje, por ajo ka qenë për një spektroskopi tjetër, për strukturë të materies, por një spektroskopi e cila bazohej në tufën llastërike”, kujton ai.

Në Moskë, Koka mori pjesë në ligjërata nga fituesit e çmimit Nobel, Basov dhe Prokhorov, dhe u përfshi në projekte të specializuara për holografinë e kristaleve.

“Natyrisht u përmend holografia, meqë pati ardhur një farë George Stroke atëbotë prej Amerikës, me origjinë kroate. Dhe i tregova kureshtje që unë e mësova kuptimet elementare të holografisë, por më tha që është shumë interesante të shkosh në një laborator në Moskë.

Dhe atje shkova. Natyrisht, ligjëratat dhe shkollimin s’po i përmend atje, meqë ishin nobelistët Basov dhe Prokhorov me ligjëratat e tyre – që do të isha nxënës i tyre – por po flas që punova në holografinë e kristaleve”, rrëfeu ai. /Inteligjenca n’3D

Ligjëratën e plotë të astrofizikanit Jahja Koka në Inteligjenca n’3D, e gjeni në videon më poshtë:

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here