Mjeku Luçiano Bardhi, ishte i ftuar këtë të diel në Euronews Albania teksa ka folur mbi shëndetin, kujdesin ndaj ushqimeve për festën e Vitit të Ri, dhe mbi të gjitha për një molekulë jetëgjatësie.
Ai theksoi se kjo molekulë shërben për të rritur disa gene të jetëgjatësisë dhe shpjegon se në cilën pjesë të trupit ndodhet ajo.
“Mjekësia po shkon në një këndvështrim komplet tjetër, në 18 dhjetor 2024 bota pa një rrugëtim tjetër të mjekësisë dhe flitet se mund të jetë një molekulë që mund të shtojë jetëgjatësinë e njeriut. Ajo gjendet në pjesën e shtratit të brendshëm të zorrës së hollë dhe të trashë, pra lidhet me sistemin tretës. Kjo molekulë quhet acidi litokolik ose hidroksikolani. Kjo molekulë do të trajtojë sëmundje të trurit pasi shpërben gjithashtu për të rritur disa gene të jetëgjatësisë”, tha mjeku.
Ai shtoi se molekula sintetizohet tek njerëzit që mbajnë agjërim, metodë kjo kurative dhe pastruese ndaj organeve.“Sipas studimeve, sinteza e kësaj molekule ndodh në atë mënyrë që, njerëzit që prodhojnë këtë molekulë, i kanë organet e tyre shumë të pastra, nuk preken nga sëmundje autoimune, dhe kjo më së shumti sintetizohet tek njerëzit që mbajnë agjërim, pasi agjërimi është një metodë shumë kurative dhe pastron organet.
Në zorrën e hollë dhe në zorrën e trashë bëhet tretja dhe zbërthimi i lëndëve ushqimore. Kur ne marrim ushqim, mëlçia prodhon disa kripëra që të tretet ushqimi dhe këto i quajmë kripëra biliare. Këto të fundit brenda tyre kanë një acid kenodeoksikolik”, tha mjeku Bardhi.
Luçiano tha gjithashtu se jetëgjatësia jonë nuk varet as në zemër, as në tru, por nga disa mikroorganizma misterioz të cilat quhen bakteriet e mira të zorrës së trashë.