Fertilizimi i asistuar mjekësor, i njohur si IVF, është një nga ndërhyrjet më të avancuara që u jep mundësinë çifteve infertile të bëhen prindër. Gjinekologu Curr Gjocaj, në ligjëratën e tij për “Inteligjenca n’3D”, shpjegon hap pas hapi se si zhvillohet kjo procedurë – nga marrja e qelizave në trupin e gruas e deri te transferimi i embrionit të zhvilluar në mitër.
Procedura fillon me stimulimin hormonal të vezoreve për të prodhuar disa vezë në një cikël të vetëm. Këto vezë nxirren nga trupi përmes një ndërhyrjeje të kontrolluar dhe pastaj bashkohen në laborator me spermatozoidet për të krijuar embrionin.
“E marrim qelizën vezë nëpërmjet disa teknikave të posaçme, e vendosim në kushte laboratorike dhe aty e takojmë me spermatozoidin që krijon embrionin,” shpjegon Dr. Gjocaj.
Pasi embrioni zhvillohet për disa ditë në kushte të kontrolluara, ai përzgjidhet në mënyrë cilësore dhe më pas transferohet në mitrën e gruas, me shpresën që të ndodhë ngjitja dhe të zhvillohet një shtatzëni e shëndetshme.
“Prej atij embrioni përzgjidhet embrioni cilësor dhe ajo qelizë e zhvilluar vendoset në mitrën e nënës,” thotë ai.
Gjocaj sqaron se procedura zhvillohet me qelizat e çiftit – vezët e gruas dhe spermatozoidet e partnerit – dhe, kur kjo nuk është e mundur, në disa vende ligji lejon edhe përdorimin e donatorëve. Në Kosovë, kjo pjesë është e rregulluar vetëm pjesërisht, pasi IVF realizohet ende mbi bazën e një udhëzimi administrativ, jo me ligj të plotë.
Pavarësisht sfidave, Gjocaj thekson se shumë çifte në Kosovë kanë realizuar me sukses shtatzëni përmes IVF-it, dhe se tashmë kemi gjenerata të tëra që kanë lindur me këtë procedurë dhe jetojnë jetën si çdo qytetar tjetër.
Për të mësuar më shumë rreth procedurës së IVF-it, ndiqni videon e plotë me Dr. Curr Gjocaj në platformën Inteligjenca n’3D: