Aurora Dollenberg, mjeke në Gjermani, gjatë një lidhjeje në Skype për emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka trajtuar një problem shqetësues për shëndetin publik në Shqipëri: përdorimin abuziv të antibiotikëve.
Ajo theksoi se ky fenomen është përhapur gjerësisht, veçanërisht për shkak të mungesës së kontrollit mbi shitjen e tyre pa recetë.
Sipas saj, situata bëhet më kritike në stinët e pranverës dhe vjeshtës, kur kufiri mes infeksioneve virale dhe bakteriale është shpesh i paqartë.
Dollenberg kritikoi qasjen e pacientëve shqiptarë, të cilët, në mungesë të durimit ose konsultimit me specialistët, marrin antibiotikë për simptoma të zakonshme gripale.
Ajo paralajmëroi se përdorimi i tepërt i antibiotikëve krijon rezistencë ndaj tyre, duke bërë që infeksionet serioze të bëhen të pamenaxhueshme.
Përveç kësaj, ajo vuri në dukje efektet anësore të shpeshta, si çrregullimet gastrointestinale dhe dëmtimin e mikrobiomës, që janë thelbësore për shëndetin e organizmit.
‘Përdorimi i antibiotikëve në mënyrë abuzive ka qenë dhe mbetet gjithnjë një problem i madh, sidomos në vende si Shqipëria, ku ndonjëherë rruga më e thjeshtë është të shkosh në farmaci dhe të marrësh antibiotik, shpeshherë edhe pa recetë.Problem është sidomos në stinën e pranverës dhe atë të vjeshtës, kur ka një kufi shumë të dobët dhe jo të qartë midis infeksioneve virale, të cilat nuk kanë nevojë për antibiotikë, dhe atyre bakteriale.
Pacientët, veçanërisht në Shqipëri, priren të jenë të paduruar dhe shpesh nuk marrin gjithmonë mendimin e specialistit. Kur shohin simptoma, qoftë edhe të thjeshta gripale, që nuk largohen menjëherë ose përkeqësohen (si temperatura e lartë, kolla, dhimbja e fytit), ata tentojnë të marrin antibiotikë sikur të ishin karamele.
Por antibiotikët nuk janë vitamina; ato janë medikamente shumë të fuqishme, të cilat kanë efekte anësore, qoftë edhe afatshkurtra, por më të dëmshmet janë ato afatgjata, sidomos rezistenca ndaj antibiotikëve.Kjo sjell pasoja serioze, sepse kur ndodh një infeksion i rëndë, antibiotikët nuk veprojnë më, dhe pacienti mund të humbasë jetën për shkak të përdorimit të tepërt të tyre gjatë jetës.
Efektet anësore më të shpeshta që hasim te pacientët që marrin antibiotikë në mënyrë të përsëritur (shpesh çdo muaj) janë çrregullimet gastrointestinale. Jo më kot pacientët ankohen për dhimbje stomaku, marrje mendsh, të vjella, dhe simptoma të tjera.
Këto çrregullime vijnë drejtpërdrejt nga antibiotikët, të cilët nuk shkatërrojnë vetëm bakteret e dëmshme, por edhe bakteret e mira që formojnë mikrobiomën, e cila është jetike për shëndetin e organizmit.’- u shpreh Dollenberg.