Gjinekologu Curr Gjocaj, në një paraqitje për “Inteligjenca n’3D”, foli për një nga shqetësimet më të mëdha që po përballen çiftet sot – infertilitetin. Ai shpjegon si të identifikohet kjo gjendje, cilat janë shkaqet më të zakonshme dhe kur është momenti i duhur për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Duke folur për shkaqet e infertilitetit, Gjocaj theksoi se ato nuk lidhen vetëm me njërin partner. Ai sqaroi se diagnoza vendoset vetëm pasi një çift ka pasur marrëdhënie të pambrojtura për të paktën një vit pa arritur shtatzëni.
“Infertilitet… është një situatë kur një çift… kanë marrëdhënie seksuale të pambrojtura për të paktën një vit dhe nuk kemi shtatzëni… atëherë fiton diagnozën si infertilitet… pa hy akoma në shkaqet se cili është problemi”, shpjegon Curr Gjocaj.
Ai thekson se kontrolli mjekësor duhet të përfshijë të dy partnerët, por shpesh fillohet me analizën e spermës, për shkak se është procedurë më e thjeshtë. Më pas vijojnë analizat hormonale dhe ekzaminimet e detajuara të aparatit riprodhues te femrat.
“Meqenëse janë procedurat më të lehta për gjininë mashkullore, e sugjerojmë menjëherë një spermogram… në ndërkohë, patjetër që një varg të procedurash i nënshtrohet edhe gjinia femërore… në mesin e tyre janë analizat hormonale”, tregon ai.
Gjocaj thekson se sot, falë zhvillimit të shkencës, shumë probleme zgjidhen pa pasur nevojë për IVF. Procedura të thjeshta si ekografia, apo ndërhyrjet kirurgjikale për të larguar pengesat strukturore, mund të ndihmojnë shumë çifte të arrijnë një shtatzëni natyrale.
“Edhe përmes procedurave tjera… siç është më e thjeshta ekografia… mund t’i japim mundësisë zgjidhje… ndoshta duke eliminu problemin… edhe e bëjmë zgjidhjen që ky çift… të ketë mundësi që të ngeli shtatzënë pa procedurat e IVF-it”, shpjegon Gjocaj.
Deklaratën e plotë të gjinekologut Curr Gjocaj në Inteligjenca n’3D, e gjeni në videon më poshtë: