Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Mirush Kabashi.
Aktori lindi më 17 prill të 1948, ndërsa është fitues i çmimit Artist i Merituar i Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 personazhe në teatër dhe 20 në filma lëvizës.
Ai ishte aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.
Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.
Një pjesë të jetës së tij Kabashi ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.
Më poshtë po ju sjellim një nga interpretimet e tij më madhështore. Bëhet fjalë për poezinë “O I MBULUAR” (Kushtuar Profetit Muhammed).
O I MBULUAR
Sonte të gjithë udhëtuan dhe erdhën tek unë
Erdhën fjalët e shkruara e të pashkruara të poetëve
dhe nga vargjet e tyre dëgjuesit u kthyen në shikues,
Erdhën meloditë dhe më bënë të qajë edhe për gjynahet që s’i kam bërë
Erdhën aromat më të mira të trëndafilave dhe thashë se viti u bë me një stinë.
Ah sikur të mos vinin asnjëra nga këto që erdhën
dhe në vend të tyre të vije ti o i mbuluar që të mbuluarit e ke zbulim.
O i mbuluar!
Gjatë kohës kur unë po mahnitesha me dhuratat
Dikush nga skaji i qytetit bashkoi emrin tënd me emrin e Dhuruesit
Atëherë, e pyeta veten:
Çfarë të bëj me trupin që në fund më duhet t’ia kthej dheut?
Por përgjigja m’u kthye me pyetje:
Çfarë do të bësh me shpirtin që ke brenda vetes por që s’është i yti?
O i mbuluar!
Sonte erdhën nga të gjashtë anët
Secili foli për anën e tij
Secili solli nga një lule nga ana e tij
Unë qëndrova në mes të kopshtit rrethuar me lulet e të gjashtë anëve
Ah sikur të vije ti që të mos ekzistonte asnjë anë,
që të mos mbulohesha me asnjë lule o i mbuluar
që me mbulimin tënd na zbulove të Dukshmin
që nga fuqia e madhe e dukjes mbetet i Padukshëm.
O i mbuluar!
Sonte erdhi uji i burimit për të ma shuar etjen
Piva, por uji gjatë udhëtimit kishte marrë me vete edhe papastërtitë
Prandaj etja aq sa m’u shua, m’u shtua
Kështu u ndodh të gjithë atyre që presin ujin t’u vijë tek buzët
e nuk shkojnë vetë te burimi.
Ah sikur të pija ujë nga duart e tua o i mbuluar
Që mbas mbulimit tim, të mos zbulohesha i etur.
O i mbuluar!
Sonte, në mungesën tënde, të pranishmëve u thashë:
Mos u ngjitni në malin e përgjakur të zemrës sime
Nëse nuk mund ta kuptoni pse zemra është më e fortë se dhimbja.
Mos më jepni ilaç për trup se mua po më dhemb shpirti
Për ndarjen nuk ka ilaç tjetër veç bashkimit
Nuk më mjafton as përqafimi se më bënë të ndihem vetë i dyti
Etja dhe uji janë dy e jo një,
Por edhe pse etja dëshmon ekzistencën e ujit,
Mbas ujit nuk ekziston më.
O i mbuluar!
Nuk mund te bashkohem me ty por nuk mund të ndahem nga ti.
Prandaj, ende qaj deri sa lotët të më bëhen gjak i dëshmorit
E gjaku i dëshmorit të më bëhet ngjyrë e penës së dijetarit
E me penën e dijetarit të shkruaj fjalët e zemrës që gjuha s’mund t’i thotë:
Lotët nuk të sjellin dhimbje, por dhimbja të sjell lotë
Mos thuaj o zot unë kam një dhimbje, por o dhimbje unë kam Një Zot!