Gravurë me ngjyrat e kohës: Poezi dhe ngjyra në krijimin e Ajne Ibërhysaj

Më 21 mars, në ditën botërore të poezisë, Ajne Ibërhysaj promovoi librin “Gravurë me ngjyrat e kohës”, në ambientet e KultPlus Caffe Gallerry.

Kjo mbrëmje me ngrohtësi poetike dhe ngrohtësi të ngjyrave ishte e hapur për të gjithë adhuruesit e librit dhe pikturës.

Atje, libri i Ajne Ibërhysaj, “Gravurë me ngjyrat e kohës”, u promovua me shumë dashuri dhe pasion. Një mbrëmje që bashkoi fjalën dhe artin, që fliste për kalimin e kohës dhe të përjetshmen e momentit.

Përreth librit, të pranishmit dëgjuan mendimet e dy figurave të njohura: Agim Vinca dhe Ramë Oraca, që ndanë refleksione mbi thellësinë dhe bukurinë që ai përmban. Një poezi e ndërtuar me fjalë që ndriçojnë mendjen dhe ngjyrat që ngrohin shpirtin.

Përtej fjalës, mbrëmja poetike ishte e shoqëruar edhe me një ekspozitë kolektive, ku ngjyrat morën jetë përmes pikturave të artistëve: Musë Prelvukaj, Skënder Idrizi, Bija Jasiqi, Merita Myderrizi Maloku dhe Agron Mulliqi. Këto vepra ishin si një pasqyrë e shpirtit të poezisë, ngjyrat që gërshetoheshin me vargjet, duke krijuar një simfoni mes artit dhe fjalës.

Një mbrëmje që ngrohu jo vetëm trupat, por edhe shpirtat e të pranishmëve, e hapur për të gjithë adhuruesit e librit dhe pikturës. Kjo ngjarje ishte një festë e papërsëritshme e shkrimit dhe krijimtarisë, një shëmbëlltyrë e bukurisë që ndodhet kur fjala dhe ngjyra bashkohen.

Po ju sjellim një nga poezitë e Ajne Ibërhysaj:

ANJA!

Anja,
kërkojmë veten tonë
nën luhatjet e egos së besimit.

Çapitjet e hapave të tua i preku syri,
kurrë nuk i ndjeu shpirti.
Lundroj në thellësinë e shpirtit tënd.
Syri yt ma zgjon zemrën e fjalës.
Trupat përqafohen,
lëkura që puthitet, shkërmoqet…
Asgjë e re, si vetë cikli i Krebsit.
Frymënxjerrja e rënduar,
sytë flasin më shumë seç duhet
dhe fjalët heshtin në një ditë,
si vetë frymëmarrja jonë.
Përqafimet tona valëviten me erën,
përdridhen, trembin qerpikun.
Fryma jote shpirtit i jep frymë,
qiellin e ngushton..
Lotët sikur i bien me grusht tokës.
Muskujt tendosen, rinia ikën,
eshtrat lëshojnë zë krisme.
Në kabare, Anja qëndron,
me vellon e reve të bardha vallëzon.
Shpirti mban aromë limoni, vetminë tende
Buzët ndizen, të gjitha digjen zjar!
Eh… bota sa herët kishte rënë për t’fjetur!
Tinguj fjalësh, krim dhe ndëshkim.
Anja,
në qiellin blu vetëm lutje përpëliten.
Të guximshmit janë itues të puthjeve hajdı
vetëm frilkacakët bëjnë luftë.
Të gjithë në qiell t’zhveshur jemi.
Në sytë e tu, Anja, çdo gjë është art.
Anja,
Itaka rënkon përherë,
dashuritë bien me natën e erret.
Nesër,
me të tjera ëndrra ato zgjohen.
Në kabare muzika dëgjohet..
Shpirtin e zjarrtë vetëm unë ta njoha,
Anja,
askujt mos i beso, as hijes tënde!
Të gjithë në qiell të zhveshur jemi
Ti mbete fëmijë në udhëkryqet e jetës.

Korrespodenti

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here