Kjo është historia, pasojat e të cilës vazhdojmë t’i paguajmë edhe sot

Shkruan: Blerim Latifi

Viti 1557. Perandoria Osmane, nën drejtimin e Sulltan Sulejmanit, vazhdon të sulmojë në drejtim të Europës Katolike. Trupat osmane kanë zaptuar pjesën më të madhe të Hungarisë dhe kanë arritur deri tek muret e Vjenës. Kisha Katolike në Ballkan, e shtrirë tek popullata arbnore (shqiptare), vazhdon të ushqejë shpresat për një kundërofensivë europiane në Rumeli. Për këtë qëllim Roma urdhëron Arqipeshkvin e Tivarit, Xhovano Bruni, që të udhëtojë drejt territoreve shqiptare të pushtuara nga osmanët, në një mision politik e fetar. Pjesë e këtij udhëtimi është ndalimi në Kishën e Laçit, e cila ishte kthyer pothuajse në gërmadhë, si pasojë e luftërave të gjata shqiptaro-osmane të Shekullit 15. Bruni ka për mision të ringrejë kishën, e cila nga ai moment i dedikohet Shën Antonit të Padovës. Pllaka ku ishte shkruar emri i tij do të ruhej për 410 vjet, derisa nuk u shkatërrua nga komunistët në vitin 1967.

Pjesë e misionit të Brunit ishte edhe Kosova. Siç shkruan Noel Malcom në librin e tij “Agjentë perandorakë”, në vitin 1587, në një relacion që katolikët e Kosovës i dërgonin Romës, tregohej se në kohën e Xhovano Brunit ata ishin ndjerë të ngushëlluar ngase ai u kishte dërguar shumë famullitarë dhe se ai kishte qenë shpresa e tyre e vetme dhe kanali i vetëm i komunikimit të tyre më Romën dhe se ky komunikim kishe rënë pothuajse krejt pas vdekjes së tij.

Gati gjysmë shekulli pas vdekjes së Brunit, pra rreth vitit 1620, kur një prift katolik ndërmori një vizitë ne trevat e Kosovës, ai e gjeti ende të gjallë kujtimin për Brunin në mesin e katolikëve të Kosovës. Ai shkruante në relacionin e tij se kishte parë portretin e Brunit të vizatuar në muret e kishave të tyre.

Për ta luftuar këtë përpjekje të Romës, Sulltani zgjedh një mjet religjioz. Përmes kryevezirit të tij, serbit Mehmet Pashë Sokoloviqit, ai e rithemelon Kishën Ortodokse Serbe, me qendër në Pejë. Në krye të saj vendoset vëllau i Sokoloviqit, Makarije Sokoloviqi. Territori mbi të cilin i njihet autoriteti ekskluziv kësaj kishe përfshinte gjithë territorin e Serbisë e sotme, të Malit të Zi të sotëm, të Kosovës, të Bosnjës dhe Hercegovinës, gjysmën e Maqedonisë së sotme,
një pjesë të Rumanisë së sotme, të Hungarisë së sotme dhe gjysmën e bregdetit të sotëm kroat. Ideja e Serbisë së Madhe zë fill në këtë hartë.

Dhënia e gjithë këtij territori Kishës Ortodokse Serbe kishte një arsye të qartë politike : Kjo Kishë, e drejtuar nga vëllau i Sokoloviqit, do të luftonte përkah Perandorisë Osmane kundër përpjekjeve të shteteve katolike europiane për të ndikuar në Ballkan.

Për 200 vitet e ardhshme, me mbështetjen e Stambollit, Kisha Ortodokse Serbe do të arrinte lulëzimin e saj më të madh në histori. Manastiret e vjetëra do të rindërtoheshin, kisha të tjera do të ngriheshin dhe, njëkohësisht, katolikëve do t’u merreshin edhe ato pak kisha që u kishin mbetur. Po të mos ishin etërit françeskanë, katolicizmi shqiptar do të zhdukej krejtësisht si pasojë e presionit dhe represionit nga aleanca ortodokso-otomane.

Rreth mesit të Shekullit 18 (1750) Kisha Ortodokse Serbe e humbet autoqefalinë dhe vendoset nën pushtetin e Patriarkanës së Stambollit. Perandoria Osmane, e dobësuar nga luftërat e pandërprera me fuqitë europiane dhe me Rusinë, përherë e më pak ka mjete për t’i ruajtur kishat ortodokse, sidomos ato në territorin e Kosovës. Që ato të shpëtoheshin nga rrënimi, Stambolli bën marrëveshje me fiset shqiptare në Kosovë, të cilave u besohet ruajtja e këtyre kishave në këmbim të pagesave të rregullta. Kjo marrëveshje do të funksionojë deri në vitin 1912 kur Kosova pushtohet nga Serbia. Pra plot 160 vjet.

Ato fotografitë e fillimeve të Shekullit 20 në të cilat shihen shqiptarë të armatosur para Manastirit të Deçanit janë dëshmia e fundit vizuele e kësaj marrëveshje. Ideja se shqiptarët i ruajtën manastiret ortodokse ngase i konsideronin si kisha të tyre, është thjesht një gënjeshtër. I ruajtën sepse paguheshin për këtë punë. Ndërkaq, kishat katolike që nuk e gëzonin këtë privilegj osman, u braktisën, u lanë në mëshirë të kohës dhe sot kujtesa për to jeton vetëm në toponiminë popullore dhe në ndonjë gërmadhë të mbuluar nga dheu e vegjetacioni.

Kjo është historia, pasojat e të cilës vazhdojmë t’i paguajmë edhe sot.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights