Një restorant në Theth u shkrumbua plotësisht nga flakët në orët e para të mëngjesit të së enjtes, por fatmirësisht pa shkaktuar dëme në njerëz.
Dyshohet se shkak i zjarrit janë luhatjet e tensionit të energjisë elektrike ndërsa në pamje shihet se i gjithë objekti është përfshirë nga flakët.
Nga zjarri raportohet se ka pasur vetëm dëme materiale ndërsa banorët e zonës ndërhynë për të shuar flakët por nuk mundën dot.
“Gjatë orëve të para të mëngjesit, në fshatin Theth, ka rënë zjarr në lokalin në pronësi të shtetasit P. Gj. Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëmë materiale. Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, thuhet në njoftim.