Arabia Saudite i bën thirrje Iranit të nënshkruajë sa më parë marrëveshjen bërthamore të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një përpjekje për të shmangur destabilizimin e mëtejshëm në Lindjen e Mesme.
Sipas katër burimeve të pavarura nga Gjiri Persik dhe Irani, të cituara nga agjencia ndërkombëtare Reuters, Ministri i Mbrojtjes i Arabisë Saudite, Princi Khalid bin Salman, ka zhvilluar një takim të fshehtë në Teheran më 17 prill, ku ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë nga Mbreti Salman për udhëheqësit iranianë.
Takimi u zhvillua në kompleksin presidencial të Teheranit dhe në të morën pjesë Presidenti iranian Masoud Pesekian, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Mohammad Bagheri dhe Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi.
Në bisedimet e zhvilluara, Princi Khalid theksoi se propozimi i Presidentit Donald Trump për një marrëveshje bërthamore është “shansi i fundit” për të shmangur përplasjen e armatosur me Izraelin.
“Trump dëshiron një marrëveshje të menjëhershme, ai nuk ka durim për negociata të zgjatura”, citohet të ketë thënë princi. Ai paralajmëroi se nëse diplomacia dështon, ekziston rreziku real për një ofensivë ushtarake izraelite, gjë që do të kishte pasoja katastrofike për të gjithë Lindjen e Mesme.
Presidenti iranian Pesekian, sipas burimeve, ka shprehur gatishmërinë për një marrëveshje që do të çonte në heqjen e sanksioneve, por ka ngritur shqetësime mbi natyrën e paparashikueshme të administratës Trump.
Nga ana tjetër, Irani ka refuzuar kategorikisht kërkesat për çmontimin e plotë të programit të tij të pasurimit të uraniumit. Një zyrtar i lartë iranian është cituar të ketë thënë: “Ne nuk do të sakrifikojmë programin tonë për shkak se Trump e dëshiron këtë.”
Megjithatë, Teherani është i hapur për një “ngrirje të përkohshme” të aktiviteteve bërthamore, nëse SHBA-të heqin fondet e ngrira dhe njohin të drejtën e Iranit për përdorim paqësor të energjisë bërthamore.
Një zyrtar i lartë amerikan, në një prononcim për Ëall Street Journal, ka konfirmuar se Uashingtoni është duke përgatitur një dokument me kushte të qarta që pritet t’i paraqitet Teheranit në ditët në vijim. Në thelb të dokumentit është ndalimi i pasurimit të mëtejshëm të uraniumit nga ana e Iranit.
“Nëse iranianët nuk i pranojnë këto kushte, do të jetë një ditë e keqe për ta”, deklaroi zyrtari amerikan.
Presidenti Trump ndërkohë ka konfirmuar se ka paralajmëruar Izraelin të mos ndërmarrë veprime që mund të dëmtojnë procesin e negociatave, duke shtuar se “palët janë shumë afër një zgjidhjeje”.
Në përpjekje për të ulur tensionet, Princi Khalid bin Salman ka garantuar palën iraniane se Arabia Saudite nuk do të lejojë që territori apo hapësira ajrore e saj të përdoret për sulme kundër Iranit nga SHBA apo Izraeli. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje Teheranit të rishikojë strategjinë e tij rajonale, duke theksuar se Riadi është i gatshëm të mbështesë një qasje më bashkëpunuese.