Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në takimin që mbajti me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, Serbisë i është kërkuar “domosdoshmëria” në dialogun Kosovë-Serbi dhe zgjidhja e sulmit terrorist të Banjskës.
Gjithashtu, në takimin që Vuçiq e cilësoi si “të vështirë” me Kallasin, i është kërkuar edhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë.
Një bisedë e hapur dhe e vështirë me Kaja Kallas dhe diplomacinë europiane. Ata folën për rrugën europiane të Serbisë, ndërsa përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, ka shkruar Vuçiq.
Ai po ashtu ka njoftuar edhe për një takim me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Ai tha se me të ka folur për “përshkallëzimin e situatës” në Kosovë, ndërsa ka pretenduar se Serbia është për paqe.
“Një bisedë e mirë dhe e hapur me James O’Brien për përshkallëzimin e situatës në Kosovë, ngjarjet aktuale në botë dhe rreziqet në rritje të sigurisë. Përsërita qëndrimin konsistent të Serbisë, e cila promovon paqen dhe ruan stabilitetin, dhe kërkova mbështetjen e fortë dhe të qartë të partnerëve tanë amerikanë në përpjekjet tona”.
Vuçiq në Bruksel u takua edhe me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, të cilin tha se ka folur për “ngjarjet në Kosovë”.
Vuçiq në këtë njoftim tha se janë duke bërë një “hetim serioz” për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc.
“Me Miroslav Lajçak për ngjarjet në Kosovë dhe kërcënimin e fundit për sigurinë dhe të drejtat e serbëve. E ritheksova se po bëjmë një hetim serioz dhe se do të bashkëpunojmë me të gjithë për të zbardhur faktet, autorët dhe para së gjithash porositësit e asaj që ndodhi në Varagë, i cili u përdor për sulmin hibrid mbi vendin tonë. Serbia do të bëjë gjithçka dhe do të vazhdojë të insistojë në të vërtetën, drejtësinë dhe mbrojtjen e jetës së serbëve në Kosovë, të cilët janë të ekspozuar ndaj presioneve gjithnjë e më brutale dhe arbitraritetit të regjimit në Prishtinë. Presim gjithashtu angazhim më të fortë në këto çështje, të cilat janë kyçe për ne, nga BE si ndërmjetës dhe garantues i asaj që u arrit gjatë dialogut në Bruksel”, pretendoi Vuçiq në një postim në Instagram.