Një vrasje e rëndë që ka tronditur Lipjanin është zbardhur pas hetimeve intensive të Policisë dhe Prokurorisë.
Më 3 gusht, në një arë misri në fshatin Baicë, u gjet i groposur trupi i një burri rreth moshës 50-60 vjeç, i cili më pas u identifikua si Enver Bajraktari, rreth 55-vjeçar.
Trupi, sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, ishte i freskët në momentin e gjetjes.
Pas punës operative, sot (12 gusht) është arrestuar Top Kolshi, rreth 33-vjeçar, i dyshuar për këtë krim. Arrestimi u krye në shtëpinë e tij në Baicë, ku gjatë kontrollit policia gjeti dhe sekuestroi dy telefona, një pushkë gjuetie, 50 gëzhoja dhe prova të tjera që mund të lidhen me vrasjen.
Sinjali mëson se toka ku u gjet trupi ishte pronë e një personi tjetër, por Kolshi e kishte punuar dhe mbjellë me misër, aty edhe ku e kreu krimin.
Grupi që po e kërkonte Bajraktarin ndoqi gjurmët, të cilat treguan se trupi ishte tërhequr me forcë drejt një gropë të improvizuar në një arë të mbjellë me misër disa metra nën sipërfaqe, ku ishin vendosur edhe disa dërrasa për ta kamufluar vendin e varrimit.
“Kanë hi me vëzhgu, ata vëzhguesit e kamerave e kanë gjet tani që lëvizja e fundit u kanë të kjo shtëpia këtu. Në bazë të aty janë ardh kanë lyp qetu. Ata djemtë që kanë ardh, tu lyp nëpër arë përmes shtagës, tani aty e kanë pa që ka zvarritje”, deklaroi një familjar i viktimës.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe Prokurorit të Shtetit, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur motivin dhe rrethanat e krimit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.