Presidentja e Kosovës ka bërë disa deklarata të forta në Tiranë ndaj BE-së ku ndodhet për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian, duke thënë se po iu hapet dera atyre që shkojnë në Moskë te Putini dhe po bllokohet Kosova.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga Samiti i Tiranës i ka bërë apel Brukselit dhe Tiranës të veprojë për situatën ku ndodhet Kosova.
Osmani tha se BE duhet të veprojë tani përtej fjalëve të bukura që u jepen shteteve aspiruese si Kosova.
‘Më me rëndësi janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe BE. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, për fat të keq akoma nuk është shqyrtuar. Ka ardhur koha që përtej fjalëve të bukura që u jepen shteteve aspiruese, të ketë veprime konkrete, veçanërisht për shtete si Kosova që është në linjë të plotë me BE. Kosova është gjithë e gatshme që të marrë pjesë në dialog.’, tha Osmani.
Osmani tha se BE-ja po lëshon mesazhe të këqija për rajonin tonë, duke thënë se po iu hapet dera atyre që shkojnë në Moskë te Putini (duke iu referuar vizitës së Vuçiç me 9 Maj në Moskë) dhe po bllokohet Kosova.
“Ka një bllokadë totale nga ana e BE-së, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohen reformat e ndërmarra, nuk vlerësohet fakti që ne jemi 100% me politikat e tyre sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, por edhe politikave të tjera. Për fat të keq po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë. Më shumë po iu hapet dera atyre që shkojnë në Moskë te Putini sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër veç BE-së.
Më shumë kemi kërkesë sesa kemi shpresë. Kërkesat tona do të jenë të zëshme”, tha Osmani.
Për bisedimet me Serbinë, Presidentja Osmani ishte më e prerë, duke u shprehur se për Kosovën kanë më shumë rëndësi dialogjet me Bashkimin Evropian për shkak të aspirimit për t’u anëtarësuar tek unioni.
“Më me rëndësi se sa bisedimet me Serbinë, janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Siç e dini Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE para 2 viteve. Për fat të keq akoma ky aplikacion nuk është shqyrtuar nga ana e Bashkimit Evropian për shkak të disa komplikimeve të panevojshme politike të cilat krijohen nga disa shtete anëtare”, tha ajo.