Gjatë seancës së kësaj të premte në Kuvendin e Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, i ndërpreu fjalën kryeministrit Albin Kurti, duke i hequr mikrofonin dhe duke kërkuar që ai të kthehej në temë.
“A ka mundësi të kthehesh në temë kryeministër, sepse i ke pasur katër vjet me qeverisë dhe nuk ke realizuar asnjë projekt. Kthehu në temë e mos na shit përralla. Thirre kabinetin qeveritar këtu dhe mbajeni rendin,” i tha Musliu Kurtit.
Situata u tensionua edhe më tej kur deputetja e PDK-së, Arbnore Salihu, hoqi flamurin kombëtar nga foltorja gjatë fjalimit të kryeministrit.
Pas ndërhyrjeve, Kurti bëri thirrje për ruajtje të qetësisë institucionale dhe theksoi përgjegjësinë e çdo përfaqësuesi të popullit në Kuvend.
