Vetëm gjatë nëntorit të këtij viti, janë regjistruar gjithsej 968 ndërmarrje të reja. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) 683 ndërmarrje të regjistruara janë me pronarë meshkuj apo 70.6 për qind dhe vetëm 246 prej tyre apo 25.4 për qind janë me me pronare femra. Ndërsa 39 prej tyre apo 4 për qind me pronarë të përzier, meshkuj dhe femra.
Në nëntor 2024 krahasuar me muajin tetor 2024, ka një rënie për 13.8% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, kemi rritje për 4.7% të ndërmarrjeve të regjistruara.
Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij mujori ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 231 (23.9%), Ndërtimtari me 122 (12.6%), Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 108 (11.2%), Prodhim me 98 (10.1%), Akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 71 (7.3%), etj. Në kategorinë “Mikro Ndërmarrje” (1 deri në 9 të punësuar) janë gjithsej 965 ndërmarrje të regjistruara, në kategorinë “Ndërmarrje të vogla” (10 deri 49 të punësuar) janë gjithsej 3 ndërmarrje të regjistruara.
Kurse në kategoritë “Ndërmarrje të mesme” dhe “Ndërmarrje të mëdha“ nuk ka ndërmarrje të regjistruara këtë muaj.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të regjioneve, rajoni i Prishtinës prinë me 451 ndërmarrje të regjistruara apo (46.6%), rajoni i Prizrenit me 116 (12.0%), rajoni i Ferizajt me 92 (9.5%), rajoni i Mitrovicës me 84 (8.7%), rajoni i Gjilanit me 77 (8.0%), rajoni i Pejës me 77 (8.0%), dhe rajoni i Gjakovës me 71 (7.3%).
Por gjatë këtij muaji nuk pati vetëm ndërmarrje të reja që u regjistruan. Pasi që sipas të dhënave të ASK-së vetëm gjatë muajit nëntor të këtij viti, 147 ndermarrje janë shuar.