Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që kryetari i Kuvendit të zgjidhet përmes votimit të hapur dhe që emri i një kandidati mund të hidhet në votim vetëm deri në tri herë. Vendimi parashikon që konstituimi i Kuvendit të përfundojë brenda 30 ditësh dhe të jenë të pranishëm të gjithë deputetët gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.
Kushtetuesja ka urdhëruar kryesuesin e seancës, Avni Dehari, të vazhdojë me pikën e tretë të rendit të ditës, duke ftuar grupin më të madh parlamentar të propozojë kandidatin për kryetar. Gjykata ka shpallur të pavlefshme seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik, duke theksuar se Dehari nuk ka vepruar sipas vendimit të mëhershëm të saj.
Vendimi është mirëpritur nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, të cilat kishin kundërshtuar ndryshimin e rendit të ditës dhe kërkesën për votim të fshehtë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Partia fituese e zgjedhjeve e ka cilësuar këtë si “arbitraritet klientelist” dhe ka mbrojtur kandidaturën e vetme të propozuar deri tani, Albulena Haxhiun.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, e përshëndeti vendimin e Kushtetueses si fitore për rendin kushtetues, duke akuzuar LVV-në për mbajtjen peng të Kuvendit.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi vendimin si “fitore të madhe për demokracinë” dhe tha se ai dëshmon shkeljen e Kushtetutës nga LVV-ja.
Përfaqësuesi i AAK-së, Ardian Gjini, deklaroi se vendimi i Kushtetueses rrëzoi diktatin dhe tregoi se demokracia fitoi.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja fitoi 48 ulëse, PDK-ja 24, LDK-ja 20, Lista Serbe 9, ndërsa koalicioni AAK–Nisma Socialdemokrate 8, me tre prej tyre të Nismës. Edhe 11 ulëse të tjera u takojnë partive të pakicave. /Korrespodenti