Vdes prifti Dom Kelmend Spaqi, që gjatë luftës lajmëronte iftarin përmes kambanës së kishës

Ka vdekur prifti me prejardhje nga Spaçi i Mirditës, Dom Kelmend Spaqi, famullitar në Kishën e “Shna Ndout” në Gllogjan. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë e miq të tij në rrjetin social Facebook.
​Kush ishte Dom Kelmend Spaqi?
​Prifti katolik, Dom Kelmend Spaqi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, kishte strehuar me qindra shqiptarë myslimanë në kishën e Shna Ndout.

​“Më 4 prill, i kanë marrë 12 burra për t’i pushkatuar. Kam shkuar pas tyre, u kam dalë para e u kam thënë: ‘ose edhe mua, ose asnjë’ dhe i kam kthyer në kishë. Edhe sot nuk mund ta besoj se si kam mundur në atë kohë t’ia marr serbit automatin prej dore e t’i them: ti s’ke zemër për t’i vrarë këta”, rrëfente vetë prifti Kelmend Spaqi për kohën e luftës.

​“Më thanë: ti besimtarët e tu lëri të rrinë në kishë, myslimanët na i jep neve, e dimë ne çfarë bëjmë me ta. U thashë: ‘jo kurrë e përjetë, nuk i ndaj’. Nuk ka këtu as katolikë as myslimanë, ka njerëz të pafajshëm. Bëni çfarë të doni.”
​“Pushkatomëni më së pari mua dhe krejt stafin këtu, atëherë mund t’i prekni këta”, thoshte Dom Kelmend Spaqi.

​Siç kishte raportuar asokohe edhe media e madhe britanike, “Sky News”, ai nuk kishte lejuar që forcat paramilitare serbe të hynin në kishën e tij.

​“Në dalje të Pejës sot, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme guximi. Prifti katolik lokal në fshatin Gllogjan u dha strehë qindra shqiptarëve myslimanë, teksa paramilitarët serbë po afroheshin. Duke i ruajtur ata brenda kishës së tij, Ati Kelmend Spaqi refuzoi t’i lejonte serbët të hynin, duke thënë se të gjithë kanë një Zot. Përfundimisht, ai u desh t’i paguante paramilitarët për t’ua shpëtuar jetën atyre. ‘Jam njeri i Zotit’, na tha ai neve. ‘Kam mësuar ta dua armikun tim’”, raportonte asokohe “Sky News”.

​Përveç kësaj, në kohën e luftës, meqë nuk kishte xhami afër fshatit Gllogjan, Dom Kelmend Spaqi bashkë me udhëheqësit e tjerë të kishës, vendosën ta lajmëronin iftarin dhe syfyrin me anë të kambanave të kishës.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME