Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në qytetin e Prizrenit është vandalizuar! Përkrenarja dhe shpata e heroit janë lyer me ngjyrë ari.
E kontaktuar nga Top Channel, Komuna e Prizrenit thotë se kjo është ndërhyrje të paautorizuar, dhe është e papranueshme.
“Ky veprim nuk është pjesë e asnjë procesi zyrtar restaurimi të miratuar nga Komuna apo ndonjë institucion tjetër kompetent. Nuk ka pasur asnjë vendim institucional për ndryshimin e pamjes së monumentit.
Nga të dhënat paraprake, ky veprim është kryer pa autorizimin e Komunës, dhe nuk ka pasur asnjë njoftim apo kërkesë për leje në lidhje me këtë ndërhyrje.
Komuna e konsideron këtë akt si ndërhyrje të paautorizuar, dhe është e papranueshme.
Gjithashtu, organet kompetente, përkatësisht Policia e Kosovës, janë duke zhvilluar hetimet për këtë rast. Për informata më të detajuara rreth aspektit hetimor, lusim që t’i drejtoheni Policisë së Kosovës si organ përgjegjës.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është figurë emblematike e kombit shqiptar dhe çdo ndërhyrje mbi monumentet që mbajnë figurën e tij duhet të bëhet vetëm përmes rrugëve institucionale, me transparencë dhe respekt maksimal ndaj simbolikës që përfaqëson.
Komuna e Prizrenit është e përkushtuar në ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore të qytetit, dhe do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të garantuar mbrojtjen e tyre”.