Ish-administratori i aeroportit të Vlorës, Valon Lluka ka reaguar publikisht pas deklaratave të fundit të Behgjet Pacollit, të në lidhje me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Lluka i ka quajtur deklaratat e Pacollit plotësisht të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike, duke theksuar se për çdo hap të procedurave ekzistojnë dokumente të noterizuara dhe të pajisura me apostil ndërkombëtar, përfshirë vendime aksionarësh dhe autorizime të firmosura nga vetë Pacolli dhe kompania Mabco Construction SA.
Ai shtoi se të gjitha dokumentet dhe transferet bankare janë dorëzuar tashmë në Prokurorinë e Tiranës si prova zyrtare që dëshmojnë ligjshmërinë e plotë të veprimeve të tij.
Lluka njoftoi gjithashtu se do të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim imazhi ndaj Pacollit, duke bashkëngjitur të gjitha provat dhe komunikimet përkatëse.
Postimi i plotë:
DEKLARATË PËR OPINIONIN PUBLIK
Në lidhje me deklaratat e publikuara së fundmi nga z. Behgjet Pacolli lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe përmendjen e emrit tim në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndjej detyrimin të reagoj publikisht për të sqaruar opinionin dhe për të mbrojtur integritetin tim personal dhe profesional.
Deklaratat e z. Pacolli janë plotësisht të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike.
Më vjen keq që një person që ka qenë në dijeni të plotë për çdo fazë dhe çdo hap të procedurave përkatëse, sot zgjedh të bëjë deklarata të rreme, ndërkohë që për çdo veprim ekzistojnë dokumente të noterizuara dhe të pajisura me apostil ndërkombëtar, përfshirë vendime aksionarësh dhe autorizime të nënshkruara jo vetëm nga vetë z. Behgjet Pacolli, por edhe nga Mabco Construction SA, Lugano, si pronare ligjore e aksioneve.
Të gjitha këto dokumente, së bashku me transferet bankare ndërmjet palëve të përfshira në këtë transaksion, janë dorëzuar tashmë në Prokurorinë e Tiranës si prova dhe fakte zyrtare që dëshmojnë ligjshmërinë dhe transparencën e plotë të çdo veprimi tim.
Në rrethana të tilla, për shkak të deklaratave të pavërteta dhe shpifjeve që dëmtojnë rëndë imazhin dhe reputacionin tim, kam vendosur të ngre padi për dëmtim imazhi dhe shpifje, duke bashkangjitur të gjitha provat, dokumentet dhe komunikimet përkatëse që vërtetojnë të kundërtën e çdo pretendimi të bërë publikisht.
Unë mbetem i përkushtuar ndaj së vërtetës, ligjit dhe institucioneve, i bindur se drejtësia do të vërtetojë çdo fakt dhe se opinioni publik do të njoftohet me realitetin e plotë të kësaj çështjeje.
Valon Lluka