Ushtria ukrainase njoftoi sot se gjatë natës kishte goditur një fabrikë baruti në qytetin Tambov të Rusisë, duke shkaktuar një zjarr.
“Sipas të dhënave tona, kjo fabrikë prodhon barut për lloje të ndryshme armësh të vogla, për artileri dhe për sisteme raketore,” thuhet në deklaratën e publikuar nga ushtria ukrainase në platformën Telegram.
Kievi e përshkruan fabrikën si një nga objektet më të rëndësishme të kompleksit ushtarako-industrial rus.
Po ashtu, ushtria ukrainase raportoi se kishin ndodhur shpërthime në një depo armësh në rajonin e Kurskut dhe në një depo të një aeroporti ushtarak në rajonin e Voronezhit.
Agjencia Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur këto raportime.