Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, tha se ai dhe kryeministri Benjamin Netanyahu kanë urdhëruar ushtrinë izraelite t’i “intensifikojë sulmet ndaj objektivave strategjike” në Iran, pasi Irani nisi valën e fundit të raketave balistike ndaj qyteteve izraelite të enjten.
“Diktatori frikacak iranian qëndron thellë brenda bunkerëve të tij të fortifikuar dhe nis sulme të qëllimshme ndaj spitaleve dhe ndërtesave të banuara në Izrael”, tha Katz në një deklaratë të shpërndarë nga ministria e mbrojtjes, duke iu referuar Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, shkruan CNN.
“Këto janë format më të rënda të krimeve të luftës – dhe Khamenei do të mbahet përgjegjës për krimet e tij”.
“Kryeministri dhe unë kemi udhëzuar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit që t’i intensifikojnë sulmet kundër objektivave strategjike në Iran dhe kundër objekteve qeveritare në Teheran, në mënyrë që të hiqen kërcënimet ndaj Shtetit të Izraelit dhe të destabilizohet regjimi i Ayatollahëve”, tha ai, sipas deklaratës.