Ushtarakët amerikanë alarmojnë për dobësitë e mbrojtjes ajrore në NATO

Dy ish-komandantë të lartë të ushtrisë amerikane thanë se mburoja ajrore e Evropës nuk është e përgatitur që të përballet me shkallën e kërcënimit nga Rusia, ndërkaq kreu i task-forcës për mbrojtje ajrore dhe raketore në Marinën amerikane i tha Radios Evropa e Lirë se pengimi i sulmeve “është gjithmonë si raporti mes maces me miun”.

Këto deklarata vijnë në kohën kur vendet evropiane po nisin një program masiv riarmatimi, i miratuar muajin e kaluar, ku mbrojtja ajrore është në krye të listës së prioriteteve.

“Shikoni çfarë ka ndodhur në qytetet e mëdha të Ukrainës. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në disa nga qytetet e mëdha të Evropës”, tha për Radion Evropa e Lirë Philip Breedlove, ish-komandanti suprem i NATO-s në Evropë.

“Nëse jeni ulur diku dhe mendoni se jeni nën ndonjë mburojë magjike si në programet televizive, nuk është vend i mirë për të qenë”, shtoi ai.
Bombardimet e përditshme të Rusisë ndaj Ukrainës kanë ilustruar më së miri rëndësinë e mbrojtjes ajrore.

Sipas një analize të realizuar në shkurt nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington, Rusia ka lëshuar mesatarisht 24.3 raketa dhe dronë në ditë drejt Ukrainës që nga fillimi i nisjes së pushtimit të këtij shteti fqinj më 2022 – mbi 25. 000 në total.

Pasojat kanë qenë ndërprerje të energjisë elektrike, shkatërrim i infrastrukturës dhe viktima të shumta civile. Rusia ka përdorur një sërë raketash raketash, nga dronë, bombat rrëshqitëse të epokës sovjetike, por që i ka modifikuar, e deri te raketat lundruese. Po ashtu, ka edhe lloje të ndryshme të mbrojtjes ajrore.

Udhëheqësi i Task-Forcës 64 të Marinës amerikane, komandanti Mike Dwan, i tha Radios Evropa e Lirë se “fushat e mbivendosura të zjarrit” të NATO-s ofrojnë një gamë të plotë mbrojtjeje.

Dwan është i vendosur me Flotën e Gjashtë në Napoli të Italisë, por foli nga baza amerikane për mbrojtje kundër raketave balistike në Redzikovo, në Poloni. Komanda e tij e bashkon këtë bazë, me një të ngjashme në Deveselu të Rumanisë dhe një flotë të bombarduesve amerikanë që operojnë nga Spanja.

Ata përdorin një sistem të quajtur Aegis për të shënjestruar raketat balistike.

“Ne e bëjmë këtë në atmosferën e sipërme, mbi 100 kilometra lartësi. Të gjitha këto pengime [të raketave]… po ndodhin në hapësirë”, tha Dwan.

Ky sistem u përdor me sukses dy herë vitin e kaluar kundër raketave balistike me rreze të mesme veprimi të Iranit, që kishin për shënjestër Izraelin. “Ne përdorëm një aftësi, një zinxhir të ndërhyrjes, shumë të ngjashëm me atë që kemi këtu për një kërcënim që vjen drejt NATO-s”, shtoi ai.

Sistemi mbështetet në një rrjet sensorësh, por kjo, sipas Breedlove, është gjithashtu pika e tij e dobët.

“Për një kohë kishte këtë ndjesi të rreme se, në rregull, kemi Deveselun, kemi Poloninë, kemi këto dy kapacitete të mrekullueshme amerikane, por u dini ato filmat ku sheh qendra komanduese dhe çdo raketë që hidhet rrëzohet, ato janë trillime”, deklaroi ai.Probabiliteti i goditjes fatale
Në një fushë të mbushur me zhargon teknik, Breedlove iu referua me shkurtesën në anglisht POK (probaliteti i goditjes fatale). Ky varion nga 95 për qind në zonat me dendësi të lartë sensorësh, deri në vetëm 30 për qind në zona të tjera. Evropa, sipas tij, duhet të “forcojë rrjetin”.

Ai nuk pranoi të specifikonte se ku mund të bëhet kjo.

“Kombet e dinë saktësisht se ku janë boshllëqet. Ne i kemi sjellë në qendrat e simulimit të raketave dhe u kemi treguar si funksionon kjo”, deklaroi ai.

Në Redzikovo ka tre raketahedhës, secili me nga tetë raketa. A mund të mbingarkohet kapaciteti i tij?

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here