Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka shkatërruar ekonominë palestineze dhe e ka lënë pothuajse gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës në varfëri.
Treguesit e cilësisë së jetës si shëndetësia dhe arsimi janë kthyer 70 vjet prapa, tha Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNPD).
Duke nisur një studim mbi ndikimet socio-ekonomike të luftës, Chitose Noguchi nga UNDP tha se ekonomia në territoret palestineze – Rripi i Gazës dhe Bregu i pushtuar Perëndimor – tani ishte 35 për qind më e vogël sesa ishte para nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë një vit më parë.
Sipas disa masave, niveli i varfërisë në Gazë tani po i afrohet 100 përqindëshit për shkak të ndërprerjeve në ekonomi, me nivelin e papunësisë që tani ka arritur në 80 për qind, tha Noguchi.
“Shteti i Palestinës po përjeton nivele të paprecedenta të kthimit prapa”, tha ajo gjatë një konference për media në Gjenevë.
“Sa i përket Gazës, vlerësohet se zhvillimi është kthyer prapa për 70 vjet apo në vitin 1955”, shtoi ajo.