Ukraina thotë se forcat ruse po avancojnë dhe qyteti Sumy është në rrezik

Forcat ruse e kanë zgjeruar vijën e frontit në rajonin verior ukrainas të Sumy-t, thanë zyrtarë e analistë, ndërsa Moska tha se mori nën kontroll edhe një fshat të martën, duke e vënë kryeqytetin rajonal më afër rrezes së dronëve të vijës së frontit.

Avancimi drejt qytetit Sumy – qendër administrative e rajonit me të njëjtin emër – vjen në kohën kur Kievi e dëshmoi aftësinë për t’i vazhduar luftimet përmes kryerjes së një vargu sulmesh ditëve të fundit, duke goditur aeroplanë bombardues rusë si dhe Urën e Krimesë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë u takuan të hënën për bisedime të paqes në Turqi, ku Moska tha se do të pajtohej për përfundimin e luftës vetëm nëse Kievi do të dorëzonte pjesë të reja të mëdha të territorit dhe nëse do t’i pranonte kufizimet ndaj madhësisë së ushtrisë.

Të martën, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj e morën nën kontroll fshatin Andriivka, pasi kapën disa fshatra të tjera ditëve të fundit. Kievi tha se nga sulmet ruse me artileri ndaj qytetit Sumy u vranë katër njerëz e u plagosën 28 të tjerë.

Kreu i administratës ushtarake në rajonin Sumy, i cili shtrihet në veri të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, të martën mbajti një takim për të diskutuar rreth strategjisë së mbrojtjes të rajonit.

“Situata në zonën kufitare të rajonit Sumy mbetet komplekse, dinamike, por e kontrollueshme. Ushtria ruse po i sulmon vazhdimisht fshatrat kufitare, duke goditur ndërtesa banimi, ferma e objekte të infrastrukturës civile” – shkroi në rrjetin “Facebook” drejtori i administratës ushtarake, Oleh Hryhorov.

Avancimi i dyfishtë me luftime të ashpra në vijën e frontit si dhe me sulme me raketa e dronë në Sumy e vështirëson aftësinë mbrojtëse të Ukrainës në rajonin juglindor të Donbasit, të cilin Rusia synon ta marrë nën kontroll të plotë, thonë analistët ushtarakë.

Të hënën, Ivan Shevtsov, zëdhënës i brigadave ukrainase që po luftojnë në Sumy, i tha transmetuesit publik të Ukrainës se forcat ruse kishin kapur rreth 15 kilometra përgjatë vijës së frontit, duke depërtuar 6 – 7 kilometra në thellësi.

Sipas këtij zyrtari, nëse rusët me avancimin e tyre e kapin qytezën Yunakivka, qyteti Sumy do të jetë në rrezik të drejtpërdrejtë.

Blogu i analistëve ukrainas, “Deep State”, që e vëzhgon vijën e frontit përmes burimeve të hapura, tha se forcat ruse janë duke lëvizur në zonën brenda 20 – 25 kilometrash nga Sumy, duke e vënë qytetin brenda rrezes së dronëve sulmues me rreze më të shkurtër.

Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte në mënyrë të pavarur pretendimin e Rusisë për kapjen e fshatit Andriivka dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës nuk e përmendi këtë vendbanim në raportin e mbrëmjes për fushën e betejës. Sidoqoftë, blogu “Deep State” tha të mërkurën herët se Andriivka tani është në duart e rusëve.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here